E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike me postë për paraplegjikët

 

Posta Shqiptare do të dërgojë falas në shtëpi ndihmën ekonomike për 6373 para dhe tetraplegjikë.

Ky është kontributi i kompanisë me rastin e festave të fundvitit për këtë shtresë shoqërore

Posta Shqiptare ka marrë përsipër t’u dërgojë me komision falas ndihmën ekonomike për muajin dhjetor të gjithë para dhe tetraplegjikëve në të gjithë vendin. Ndihma ekonomike e këtij muaji do t’u dërgohet në shtëpi pa pagesë nga çdo filiali i Postës Shqiptare, të cilat do të bashkëpunojnë me bashkitë dhe komunat që shpërndajnë të ardhurat për të gjithë personat që bëjnë pjesë në këtë kategori shoqërore. Vendimi i marrë nga drejtuesit e kompanisë konsiderohet si dhuratë për festat e fundvitit për të gjithë para dhe tetraplegjikët në të gjithë vendin. “Punonjësit e Postës do të jenë në dispozicion të këtij shërbimi në çdo skaj të Shqipërisë, për ta lehtësuar sadopak këtë shtresë në nevojë, e cila deri në fund të vitit 2008 arrin 6373 persona, nga të cilët 3200 janë paraplegjikë, të tjerët janë kujdestarë dhe përfitues të paketës higjienike në këtë fundviti”, - thanë burime zyrtare të Postës Shqiptare. Shpërndarja e ndihmave për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, aktualisht bëhet në bashkitë dhe komunat e ndryshme në çdo rreth të Shqipërisë. Në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua një paketë, e cila sipas Kryeministrit Berisha do të lehtësojë jetën e përditshme të kësaj kategorie shoqërore. Qeveria ka miratuar një vendim, i cili u mundëson atyre ndjekjen e ciklit të dytë të studimeve universitare me tarifë të përgjysmuar. Kjo shtresë shoqërore përfiton 12 mijë lekë në muaj të ardhura si ndihmë ekonomike, ndërsa kujdestarët kanë një pagesë mujore prej 8700 lekësh. Me vendim qeverie kësaj shtrese i jepen edhe 6 mijë lekë në muaj karburante. Gjithashtu, ato përfitojnë edhe një kuotë nga organet e pushtetit lokal. Para dhe tetraplegjikët konsiderohen si shtresa, e cila përballet me vështirësitë më të mëdha, për shkak të sëmundjes që kanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›