Ambasadori Sequi: 90% e shqiptarëve “pro” integrimit, raporti në vjeshtë do konfirmojë mundësinë e statusit
Kufizimi i imunitetit, hap i nevojshëm për luftën anti-korrupsion. Zgjedhja e presidentit është mekanizëm kushtetues
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi gjatë një interviste për ABC Neës ka folur mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai u ndal kryesisht në atë që përfiton vendi ynë në rastin e marrjes së statusit kandidat për në BE. Sipas tij, përfitimet e Shqipërisë janë të shumta, duke iu referuar konsolidimit të shtetit ligjor dhe mirëqenies ekonomike, ndërsa sfida më e madhe sipas tij mbetet ajo e shpjegimit të qytetarëve se çfarë përfitojnë nga integrimi në BE. Ai e cilësoi integrimin një proces të bazuar tërësisht në meritë, ndërsa u shpreh se BE do të monitorojë procesin dhe në tetor do të nxjerrë raportin për integrimin. Për Ettore Sequi, është impresionuese entuziazmi i shqiptarëve për integrimin në BE, pasi ky projekt mbështetet nga mbi 90% e qytatërve. “Ka entuziazëm në Shqipëri. Kjo është mbresëlënëse sepse 90% e shqiptarëve mbështesin integrimin e vendit. Kjo shihet me optimizëm edhe nga partnerët ndërkombëtare. Kam biseduar me ambasadorin Arvizu dhe qëndrimi ynë është për një dialog konstruktiv në rrugën e integrimit. Sfida është e interesit kombëtar. Nëse realizojmë këtë, atëherë të gjitha të tjerat do të vijnë. Ky është procesi juaj. BE është i gatshëm të kontribuojë. Duhet të jemi të qartë se nuk ka një standard të dyfishtë në procesin e zgjerimit të Unionit. Është një proces që bazohet në meritë. Nëse bëhen detyrat e shtëpisë, mesazhi i Brukselit është: “dera e Bashkimit Evropian është e hapur”. Unë kam vërë re që ka vullnet politik për të ecur në drejtimin e duhur. Ne duhet të shohim rezultate konkrete dhe ky do të jetë edhe suksesi për të marrë statusin e vendit kandidat. Sundimi i ligjit apo shteti i së drejtës është një nga themelet e BE. Jean Monnet një nga arkitektët e BE-së, ka deklaruar se asgjë nuk zgjidhet pa institucionet. Kjo është arsyeja që ju keni dëgjuar kaq herë që unë flas për rëndësinë e institucioneve. Lufta kundër korrupsionit është një çështje shumë serioze. Ne duam të shohim një histori të qartë hetimesh, vendimesh lidhur me zbatimin e ligjit. Një nga kërkesat ka qenë heqja e imunitetit për gjyqtarët dhe deputetët. Unë mendoj se këtu hyjmë në një angazhim të mirë për të ecur përpara. Mendoj se kjo do të ishte një arritje domethënëse për Shqipërinë në luftë kundër korrupsionit. Unë pres planin e veprimit, i cili është një dokument i rëndësishëm i hartuar nga një proces gjithëpërfshirës. Ka patur diskutime tepër të gjata dhe konsultime me opozitën, që është një hallkë tepër e rëndësishme. Është i rëndësishëm se mbështetet në disa veprime konkrete, është një udhërrëfyes që Shqipëria të përqendrojë të gjithë punën e saj për të marrë statusin kandidat” – u shpreh Sequi. Ambasadori i BE-së tha se po ta krahasojmë situatën e sotme me atë para marrëveshjes së nëntorit, ka patur ecuri dhe progres. Shqipëria ka hedhur disa hapa në drejtim të integrimit përsa i përket zbatimit të 12 rekomandimeve, siç janë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore dhe parlamentare, zgjedhja e Avokatit të Popullit me konsensus, miratimi i disa ligjeve të rëndësishme dhe kodeve, por sipas tij duhet konsolidimi i këtij procesi me rezultate konkrete. “Shpresoj që reforma zgjedhore të mbyllet shpejt. Ekziston vullneti i mirë. Ka një angazhim të fortë të institucioneve të cilat janë të vendosura për të mbështetur këtë proces. OSBE dhe ambasadori Ëollfarth janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë në realizimin e kritereve. E rëndësishme është që të zbatohen rekomandimet dhe të sigurohemi që zgjedhjet e 2013-ës të jenë një fushë dhe një pikënisje e standardeve demokratike. Unë mendoj se nëse ata duan të diskutojnë ndryshimin e sistemit, kanë kapacitete për ta bërë këtë”- tha ai. Duke iu referuar çështjes së zgjedhjes së presidentit, Sequi theksoi se “Brukseli do të shohë me kujdes atë që do të ndodhë dhe pastaj do të vendosim, por sipas tij kjo bazohet në vullnetin politik mes palëve”. Për Ettore Sequi, zgjedhja e presidentit të ardhshëm është një mekanizëm kushtetues. “Ne do ta ndjekim me interes të thellë të gjithë procesin, që do të na çojë drejt zgjedhjes së presidentit të ardhshëm. Në çdo vend të botës, Presidenti ka një rol të përcaktuar, pasi siç thuhet në Kushtetutë përfaqëson unitetin e popullit. Ai do të jetë elementi i garantimit të vazhdimësisë pas zgjedhjeve. Ky është një nga aspektet e rëndësisë së presidentit të republikës. Po të më kishit pyetur para 4 muajsh, nëse do të kisha një emër për presidentin, në aspektin personal do të kisha thënë “po”. Po takoja një mikun tim me spital, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta. Ishte në spital, miku im Sabri Godo. Fatkeqësisht u nda nga jeta. Kur vajta ta takoja ai sikur pati energji dhe filloi të fliste për Shqipërinë. Më tha diçka që s’do ta ndaj me ju, por në atë moment me të vërtetë ndjeva emocione dhe këtë do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës se sa i përkushtuar ishte ai njeri, se sa shumë e donte ai Shqipërinë. Godo kishte 3 karakteristika të cilat ishin shumë të veçanta. Bindje të forta evropiane, integritet të madh dhe aftësi fantastike dialogimi. Ai mund t’i fliste si opozitës ashtu edhe mazhorancës. Pra, unë dëshiroj t’ju them se për paradoks unë e pashë atë para 4 muajsh si president ideal. Ky ishte mendimi im, sigurisht i bazuar te marrëdhënia personale dhe miqësia me të. Mendoj se është tepër e qartë që presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Është e qartë se ne do të ndjekim me interes të madh procesin. Duam të jetë një proces i cili do të tregojë dëshirën e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe për të bërë zgjedhjen e duhur. Sot, e rëndësishme është të mos diskutojmë emrat, por një proces që besoj se do të jetë një proces i bazuar tek gjithëpërfshirja dhe një proces pozitiv nga aspekti pozitiv. Në kushtetutë keni mekanizmin, në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës, sigurisht shpreh bindjen se rezultati do jetë pozitiv. Ne flasim për procesin dhe në këndvështrimin personal dëshiroj të flas për procesin dhe jo për emrat”- tha më tej Sequi.
Kuvendi voton sot kandidaturën e Elvis Çefës si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Mazhoranca në Komisionin e ligjeve me shumicë votash e vlerëson kandidaturën e Ardjan Vishës, propozime të socialistëve, të padenjë për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tyre, Visha, që për vite të tëra ka punuar krah Prokurorëve të Përgjithshëm, Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku, nuk plotëson kriterin e meritës dhe është një kandidaturë e mirëfilltë politike, me të cilin edhe vetë selia rozë nuk ndan të njëjtin qëndrim për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend. Më konkretisht ishte deputeti demokrat, Gent Strazimiri ai që ftoi socialistët që të bënin diferencën, mes konceptit të zotit Rama dhe atij të zotit Visha për çështjen “Gërdeci”. Demokratët në fakt e kanë interpretuar propozimin nga socialistët të avokatit të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu për çështjen “Gërdeci” si një tërheqje të socialistëve nga akuzat e tyre, pavarësisht se këta të fundit janë shprehur për të kundërtën. Habia e demokratëve është se si opozita mundi të propozonte Vishën, kur ai jo thjesht për hir të detyrës së avokatit beson plotësisht në pafajësinë e Fatmir Mediut. Ardjan Visha shkon përballë Elvis Cefës në seancën plenare të ditës së sotme, ku përmes një votimi të fshehtë do të zgjidhet anëtari i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.