Reporterët me aftësi të kufizuar
Po lexoja librin e Ryszard Kapuscinskit, “Portreti i një reporteri” dhe po riprodhoj një citim që mendoj se është i rëndësishëm për tematikën e ditës. “Kurioziteti i botës që i jep shpirt një reporteri është një çështje karakteri. Ka disa persona që nuk u intereson pjesa tjetër e botës: pasi në atë që jetojnë është e gjithë bota. Një pozicion i respektueshëm ky, si çdo pozicion tjetër. Plaku i mençur kinez Konfuci thoshte se mënyra më e mirë për të njohur botën është të mos dalësh kurrë nga shtëpia. Edhe kjo është e vërtetë: të mos spostohesh në mënyrë fizike, por të udhëtosh brenda shpirtit tënd. Koncepti i udhëtimit është elastik, po aq sa edhe i ndryshëm”. Pasi mbylla librin për t’i marrë seriozisht fjalët e reporterit më të famshëm të botës dola të marr një autobus në Tiranë.
Në autobus më ndodhën dy gjëra interesante që mund të sillen si kundërprova të “fakteve” të “Reporterët pa kufij”. Në një stacion të unazës, në urban hipi një qytetar, i cili sapo kishte blerë një antenë televizori. Kurioziteti më shtyu dhe ai thuajse më përhumbi, pas përgjigjes që mora për pyetjen se përse i duhej një antenë e re. Përgjigja qe sa banale, aq edhe e vërtetë. I duhet të shihte sa më shumë kanale televizive. Deduksioni i thekshëm është se tek ne ka më shumë se tridhjetë kanale televizive kombëtare e lokale, të cilat presupozohet se na sjellin informacionin e kënaqësinë e kërkuar, bile gati me bollëk. Po në autobus ishte një i moshuar, që lexonte një gazete pak të njohur në treg, por qytetarit i ishte dukur e arsyeshme ta blinte. Shumë mirë. Në tregun shqiptar ka më shumë se 40 të përditshme kombëtare, që mbrojnë vlera dhe antivlerat e një shoqërie.
Sot në Shqipëri ka liri medie, sa të duash, me veti te mira e me plot vese nganjëherë, por ata që nuk e shohin, janë përveçse syleshë, edhe hipokritë. “Reporterët pa kufij” kanë bërë një gabim teknik përsa i përket verifikim të informacionit. Natyrisht përpara se të nxjerrin një konkluzion ose raport paraprak duhet të kenë një tablo të gjithanshme të situatës mediatike.
Kush është “who is”, misterioz? Korrespondenti i vetëm shqiptar që flet në emër të të gjitha medieve të gjymtuara është anonim, sepse ka zgjedhur të jetë i tillë. Nuk po themi se mund të ketë konflikt interesi, por faktori që na bën të mendojmë se mund të ketë dhënë të dhëna false janë të shumta. A e dinë “reporterët pa kufij” se në Shqipëri botohen më shumë se tridhjetë gazeta, po ashtu aq mediet vizive si dhe ato radiofonike? Por ata janë bazuar në një informacion të vetëm, për më shumë anonim. Natyrisht ka shkelje të ndryshme, por jo deri aty sa të frenojnë lirinë e të censurojnë lajmet. Sepse lajmi del hapur kur ka një pluralitet mediesh. Sot lajmi nuk censurohet, sot akumulohet bile deri atje sa po mbërrijmë tek një deficit i perceptimi të informacionit.
Kuptohet vetiu se edhe organizata e “reporterëve pa kufij” nuk ka faj, sepse janë pak veta që merren me 187 vende dhe nuk mund t’i kontrollojnë sipas parimit të gazetarisë “sa më shumë burime, aq më i mirë verifikimi”.
Ku të bazohen ato? Kur edhe korrespondenti ynë është anonim, për më shumë “i vetëm në shtëpi”. Ku e dimë ne se ç’mund t’i pjellë mendja atij, bile ai edhe mund të thotë se në Shqipëri ka instalim diktature. Merret me mend se shumë vende të Oksidentit as që i shohin këto raporte, sepse e dinë shumë mirë se ato nuk vlejnë si njësi matëse. Po ne do t’i marrim seriozisht kur informacionet nga Shqipëria jepen nga korrespodentë anonimë, që mund të kënë edhe konflikt interesi? Duhet dyshuar për të konfirmuar një realitet, qoftë ky edhe kundër interesave të ngushta personale. Faktori i kësaj qeshje është një plus për mungesën e seriozitetit të këtij raporti. Mjaft me “Raporte” të tele-drejtuar me qëllim, vetëm që të shpallemi se jemi të gjithë të sëmurë. Qeveria sulmohet nga të paktën 80 përqind e medias në Shqipëri, çdo skandal është denoncuar me një rreptësi të paparë morale. Pastaj dalim në raporte se s’kemi liri medieje!
Më vjen turp për respektin e të gjithëve atyre që kanë paguar një çmim me jetë për lirinë e shtypit e të mendimit, sidomos për intelektualët brenda regjimit komunist. Për ata që kanë vuajtur aq shumë e sot e mbyllin gojën, sepse hapësira është për bijtë e atyre që ishin caktuar të na mbyllnin gojën në diktaturë. Ka gojë Edi Rama të thotë për liri shtypi kur i Ati ishte sufleri i Ramiz Alisë. Me vjen turp, për gjykimin e munguar, kur na dalin përpara syve Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, në po ato televizione që deklarojmë më brohoritje shtazarake se nuk ka liri medie.
Sot ne kemi një liri të tillë saqë informacioni errësohet prej akumulimit të informacioneve, duke shkaktuar një deficit perceptimi të realitetit.