Shkrimtarit Ismail Kadare sot i dorëzohet çmimi “Princi i Asturias”
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare do të marrë sot pasdite Çmimin e madh spanjoll, Princi i Asturias për Letërsinë (Prince of Asturias Aëard for Letters), një nga çmimet me prestigjoze në botë në një ceremonie solemne të organizuar në Teatrin Campoamor të Oviedo-s (Spanjë). Princi i Asturias, Don Felipe de Borbón do të mbyllë këtë ceremoni me një fjalim, që tradicionalisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme që Ai realizon gjatë vitit. Ndërkohë Ambasada Spanjolle në Tiranë, njoftonte se , Televizioni Spanjoll dhe Radio Kombëtare e Spanjës do të ofrojnë direkt dhe pa pagesë sinjalin institucional të ceremonisë solemne të dorëzimit të Çmimeve Princi i Asturias. Fitues i çmimit "Man Booker International Prize" në vitin 2005, çmimi më prestigjoz në botën anglishtfolëse, Kadare, 73 vjeç, kandidat i çmimit Nobel në letërsi, i nderuar më 24 qershor të këtij viti me Çmimin e madh spanjoll, ndodhet në Ovideo së bashku me familjen e tij, ndërsa ka qënë i pranishëm në një seri aktivitetesh të organizuar në vigjilje të këtij çmimi. Gjithsej 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për këtë çmim që fondacioni "Prince of Asturias" ua akordon “atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë". Dhënia e çmimit shkrimtarit shqiptar i përkthyer në të paktën 40 gjuhë të botës, u shoqërua me jehonë sidomos nga shtypin spanjoll. Gazeta e njohur "El Mundo" njoftonte atë ditë se kandidati shqiptar për çmimin "Nobel" e fitoi garën mes shkrimtarëve të përmasave të tilla si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabuçhi, holandazit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. Gazeta "El Mundo", e cilësonte Kadarenë si një shkrimtar, i cili filloi të fitojë famën e tij me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në vitin 1963, roman, që sipas gazetës , "Kadare arriti njohje brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe që sot materializohet me një nga çmimet më të rëndësishme në qarqet letrare të botës". “Kadare është një studiues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi Ballkanik”, shkruante "El Mundo", duke cituar se veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës. Princi i Asturias , së bashku me Çmimin Nobel, është mirënjohja më prestigjoze për meritat e atyre burrave e grave që kanë kontribuar në progresin e njerëzimit. Por Kadare mori urimet dhe vlerësimet më të mira nga personalitetet më të larta të Mbretërisë së Spanjës, më 24 qershor të këtij viti vetëm disa orë pasi fitoi Çmimin e madh spanjoll "Princi i Asturias për Letërsinë" (Prince of Asturias Aëard for Letters). Mbreti Juan Carlos dhe Mbretëresha Sofia e Spanjës, Kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero dhe Felipe, Princi i Asturias, emrin e të cilit mban dhe ky çmim i dërguan shkrimtarit shqiptar urimet e tyre përmes një letre ku i shprehnin dhe vlerësimet e tyre mbi veprën e tij, për të cilën fitoi dhe çmimin Princi i Asturias për Letërsinë 2009. Siç shprehej juria çmimit Princi i Asturia për Letërsinë, tema qëndrore e veprës së Kadaresë, e plazmuar në të gjitha librat e tij, është totalitarizmi, mekanizmat e tij të funksionimit dhe komplicitetet që e bëjnë të mundur. Ky obsesion letrar kulminon në Pallatin e Ëndrrave (1988), publikuar në 1981 në Shqipëri, kur ishte ende në fuqi diktatura komuniste. Megjithë shembjen e komunizmit, Kadare vazhdon të hetojë shpirtin e shoqërive totalitare, siç bën në Tri këngë zie për Kosovën (1999) dhe Përballë pasqyrës së një gruaje (2002). Botimet e tij të fundit janë “Jeta, loja dhe vdekja” e Lul Mazreku (2005) dhe “Vajza e Agamemnonit. Pasardhësi (2007). Çmimet Prínci i Asturias, u krijuan në vitin 1981, për punën shkencore, teknike, kulturore, sociale dhe humane të realizuar nga persona, grupe pune apo institucione në arenën ndërkombëtare. Secili prej Çmimeve Prínci i Asturias, përfshin një çmim prej 50 mijë euro, skulpturën e krijuar dhe dhuruar për këtë qëllim nga Joan Miró, një diplomë dhe një emblemë akredituese. Vitin e kaluar, fituesja e Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë ishte kanadezja, Margaret Atëod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave.
...