E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet ura, izolohen 2 mijë banorë



KORçE - Erozioni i tokës ka dëmtuar rëndë një urë në Korçë, e cila lidhet gjithashtu edhe me rrethet e Gramshit dhe të Skraparit. Ura e dëmtuar ndodhet në aksin Korçë-Lozhan-Moglicë, ku rruga është bërë e pakalueshme për mjetet. Toka në këtë segment ka pësuar rrëshqitje, por edhe çarje të asfaltit nga reshjet dhe gërryerja. "Ura lidhëse midis Korçës dhe zonave të thella malore të Moglicës dhe më tej rretheve të Gramshit dhe Skraparit, e quajtur "Ura e Proptishtit", është shembur pjesërisht, duke pësuar një çarje në gjatësi rreth 3 metra. Udhëtarët dhe banorët e zonës duhet të përdorin mjete të ndryshme për të kaluar në të dy anët e rrugës, e cila mbetet e bllokuar. Ata që udhëtojnë nga komuna e Lozhanit dhe Moglicës drejt Korçës qarkullojnë në këmbë në urë dhe më pas marrin të tjera mjete për të shkuar në qytet", bënë të ditur burime nga komuna e Moglicës. Kjo gjendje e krijuar ka sjellë një izolim të përkohshëm të afro 2 mijë banorëve të komunës së Moglicës, të cilët ndiejnë vështirësi edhe për transportimin e njerëzve të sëmurë drejt Korçës. Ura është shembur në një pjesë të madhe të saj dhe rrezikon të bjerë plotësisht, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. Specialistët që kanë kryer verifikime të kësaj ure thanë se rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës rrezikojnë shembjen e plotë të saj. Sipas kryetarit të komunës së Moglicës, Agron Matraku, është krijuar një gjendje emergjence për qarkullimin e banorëve. Një ekip i shtabit të emergjencave civile nga Prefektura e Korçës ka verifikuar dje gjendjen në vend, por ende nuk mund të flitet për ndonjë zgjidhje të shpejtë, për shkak të terrenit të vështirë për kryerjen e punimeve, si dhe një sipërfaqe të madhe toke të përfshirë nga erozioni. Izolimi i rreth 2 mijë banorëve të kësaj komunë nisi që të hënën. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›