E Diel, 1 Nëntor 2026

Reprizë

Nicholas Muimbi nga Kenia e ka zënë vendin e parë në konkurrencën e meshkujve në gjysmëmaratonën ndërkombëtare Prishtina 2010, e cila është zhvilluar të dielën në kryeqytetin e Kosovës.

Muimbi edhe në gjysmëmaratonën e vitit të kaluar Prishtina 2009 ia pati dalë të zërë vendin e parë në atë garë. Keniani shtegun e gjatë prej 21 km e kaloi duke vrapuar për periudhën kohore 1 orë, 5 minuta e 31 sekonda.

“Është hera e dytë që marr pjesë në këtë gjysmëmaratonë. Jam i kënaqur me kohën brenda së cilës arrita i pari në cak. Por, pesë kilometrat e fundit isha i vetmuar duke vrapuar, pasi konkurrenca nuk ishte edhe aq e fortë. Kështu e zura vendin e parë, edhe pse ky nuk ka qenë synimi im kryesor. Megjithatë, gëzohem që erdha i pari në cak”, deklaroi Muimbi, i cili u shpërblye me 1200 euro.

Vendin e dytë në këtë konkurrencë e zuri Gheorgita Vitalie nga Moldavia, i cili në cak arriti për 1 orë, 7 minuta e 20 sekonda. Ky garues edhe në vitin e kaluar e pati zënë vendin e dytë. Kurse, vendi i tretë i takoi atletit nga Ukraina, Maksim Janishevski, i cili shtegun e kaloi për 1 orë, 8 minuta e 6 sekonda.

Edhe kësaj radhe, paraqitja e atletëve kosovarë në këtë garë ishte jo e kënaqshme. Më i suksesshmi nga kosovarët ishte Vedat Tërmkolli, i cili e zuri vendin e pestë, duke e kaluar shtegun për 1 orë, 13 minuta e 44 sekonda. Tërmkolli tha se arsye kryesore që atletët kosovarë nuk po arrijnë sukses në gjysmëmaratona të tilla është përgatitja e dobët fizike, pasi siç tha ai, atletëve kosovarë janë të lënë pas dore.

Numrin e saktë të garuesve pjesëmarrës nuk e dinin as vetë organizatorët, por sipas tyre, ai ka qenë mbi 400, derisa vitin e kaluar patën marrë pjesë rreth 600 atletë.

Në konkurrencën e femrave, shtegun 21 km e para e ka kaluar Svetlana Shepeleva nga Moldavia, e cila punën e saj e kreu për 1 orë e 21 minuta. E njëjta garuese edhe në vitin e kaluar e pati zënë vendin e parë në këtë garë, derisa kjo ishte hera e katërt e saj që merr pjesë në gjysmëmaratonat e organizuara nga kosovarët.

“Për herë të dytë e zura vendin e parë dhe jam e lumtur. Dua të theksoj se vetëm një ditë më herët kamë garuar në një garë në Bullgari dhe menjëherë pas asaj gare kam udhëtuar drejt Prishtinës me autobus dhe normalisht që kam qenë paksa më e lodhur”, u shpreh Shepeleva, e cila u shpërblye me 1000 euro.

E dyta në cak ka arritur rumunia Simona Maxim, e cila shtegun prej 21 km e përfundoi për 1 orë, 22 minuta e 49 sekonda.

Ndërsa vendin e tretë e zuri Rumiana Panovska nga Bullgaria, e cila shtegun e kreu për 1 orë, 25 minuta e 39 sekonda. Kurse, kosovarja Fjolla Mërgata ishte e katërta që shtegun e kaloi për 1 orë, 38 minuta e 26 sekonda.

Në kategorinë e veteranëve, në konkurrencën e meshkujve, vendin e parë e zuri danezi Peter Emtekjer, kurse në atë të femra e para doli sikurse në vitin e kaluar, kosovarja Myrvete Pervetica.

Në kategorinë 5 km, te meshkujt më i suksesshmi ishte Suad Kryeliu, derisa te femrat Gresa Bakrraqi.

Kurse, në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, më i miri ishte Avdyl Ibishi, i cili edhe vitin e kaluar e pati zënë vendin e parë në konkurrencën e meshkujve, kurse në atë të femrave më e suksesshmja ishte Sadije Sadiku.

Kjo ishte gjysmëmaratona e dhjetë me radhë, e cila kësaj radhe është organizuar nën patronatin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Organizator kryesor ishte Federata e Atletikës e Kosovës (FAK), e përkrahur nga Departamenti i Sportit pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), si dhe nga Departamenti i Sportit i Komunës së Prishtinës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›