E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë,zbehen tensionet,rikthehet qetësia

Gjendja e sigurisë gjatë javës së kaluar ka qenë përgjithësisht e qetë, përkundër disa incidenteve të izoluara në veri të qytetit. Keshtu u vlerësua në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës. Kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi, tha gjatë javës së kaluar në veri janë djegur kurora e vendosura përreth lapidarit të dëshmorit Avni Haradinaj në Lagjen e Boshnjakëve, gjë që ka tensionuar gjendjen në atë lagje. Ai theksoi se pas apelit që u është bërë banorëve, ata kanë hequr dorë nga protestat që kishin paralajmëruar si reagim pas atij akti, në mënyrë që t'u mundësohet strukturave të sigurisë që të hetojnë rastin dhe t'i identifikojnë personat që kanë bërë kryer këtë incident.Rexhepi shprehu admirimin e tij për sjelljen e banorëve, të cilët përkundër këtyre provokimeve janë duke treguar përgjegjësi të lartë. Ai tha se gjatë javës ka pasur edhe disa protesta përreth gjykatave në veri, të cilat kanë kaluar të qeta. "Në përgjithësi situata ka qenë e qetë, por paksa më e tensionuar si rezultat e këtyre provokimeve", tha ai. Në anën tjetër përfaqësuesit e strukturave të sigurisë, thanë se janë marrë të gjitha masat që situata të mbahet nën kontroll. Bashkim Spahiu, komandanti i stacionit të policisë në jug të qytetit, tha se në zonën e përgjegjësisë të këtij stacioni nuk ka pasur ndonjë incident që vlen të përmendet, përderisa përfaqësuesit e KFOR-it thanë se gjendja është e qetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›