E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republika e diletantëve

Diletantizmi ka ngërthyer gjithë shtetin. Dhe kjo nuk është thjesht një deklaratë e atij që shikon vetëm "anën e zezë" të gjërave. Jo! Është një e vërtetë e pamohueshme nga çdo individ që kërkon të shikojë drejt së ardhmes. Mbase e kemi trashëgim nga koha kur i tregonim botës se ne dinim të bënim çdo gjë dhe pse nuk i kishim kapacitetet e nevojshme. Si atëherë që prodhuam traktorin. Por ma merr mendja, që tashmë duhet të jemi bindur se ne jo vetëm nuk dinim, por dhe nuk mundnim të prodhonim traktorë, prandaj dhe nuk prodhuam dot të tjerë.

Sot duket se diletantizmi ka fituar të drejtën e qytetarisë për të qeverisur vendin. Diletantizmi është sëmundje e shoqërive, që sapo kanë nisur hapat e para drejt zhvillimit, por vetëm në hapat e parë. Më pas, duhet detyrimisht të zërë vend profesionalizmi dhe jo diletantizmi. Fatkeqësisht te ne ka ndodhur krejtësisht ndryshe. Të paktën deri më sot. Hidhini një sy administratës publike. Është i njohur fakti që administrata është bërë në shumicën e herëve, streha e ngrohtë e militantëve partiakë, që nuk kanë asnjë lidhje me profesionalizmin. Që këtu diskutimi mbaron, sepse kjo administratë drejton gjithë procesin administrativ shtetëror dhe prej saj varen të gjithë hapat e mëtejshëm të zhvillimit. Gjatë gjithë këtyre viteve të "demokracisë", kjo administratë, e cila sapo "mëson" (pra trajnohet) për të qenë profesioniste ndryshon, në sensin partiak, sipas sensit zgjedhor, e kthehet në një fole diletantësh që realizojnë, sipas mënyrës së tyre, procesin e reformave dhe të "ecjes përpara". Diletantizmi sërish drejton, madje me dorë të "pastër" dhe "besnikëri", sa për profesionistët, ata konsiderohen të paaftë nga... diletantët!

Po sjell në vëmendjen e lexuesit vetëm zëdhënësit e shtypit të ministrive. Askush prej tyre nuk e di se çdo të thotë ai vend në administratën publike, ndryshe nuk do të dilnin para publikut e të lexonin deklarata kundër liderëve të opozitës, nga pozitat partiake, thua se janë zëdhënës të partisë në pushtet dhe jo të institucioneve të departizuara. Pa le sikur të dilte ndonjë gazetar "grindavec" e t‘ju bënte ndonjë pyetje rreth asaj që lexojnë! Larg qoftë! Por se mos është vetëm administrata, po shteti vetë? Po Kryeministri? A nuk del ai para publikut, sikur të kishte para vetes një tufë fëmijësh, që akoma nuk kanë mbaruar së mësuari abetaren dhe flet për gjithçka? Ai di dhe bën gjithçka! Mbase ashtu e mendon vërtet, sepse diletantizmi i mbrujtur me psikologjinë e të qenit i "parë", çon pashmangërisht në bindjen se "unë kam të drejtë". Po politika? Nuk jam unë e para që them se politika është mbërthyer nga diletantizmi në pothuaj çdo hap. Të bërit politikë me improvizime, nuk të çon më larg se e nesërmja. Spontaniteti nuk është politikë, ashtu sikundër nuk është profesionalizëm kokëfortësia politike në dëm të imazhit publik.

Nëse do të flisnim për improvizimet e politikës, do t‘ju ftoja të kthenit sytë nga nismat e qeverisë, e cila sheh ëndrra në mbrëmje dhe mendon se mund t‘i shpallë si realitete në mëngjes. Merrni një, po ja u lë ju në dëshirë të zgjidhni. Ka boll të tilla. Merrni një nismë dhe sapo të filloni të arsyetoni do të shikoni sa blofe ka në të. Unë po marr Shqipëria në moshën e internetit! Sjell qeveria kompjuterë. Ok! Po kujt ia sjell dhe kush do t‘i përdorë? Unë di me dhjetëra raste kur kompjuterët qëndrojnë të mbyllur në salla dhe këto salla hapen vetëm në raste vizitash të ndonjërit me "pozitë" për t‘ia demonstruar si të tilla. E para, sepse nuk ka energji, e dyta, sepse nuk ka mësues që t‘ua mësojë. Prandaj dhe rrinë të kyçur, nga frika se mos prishen pa u ndezur akoma. Sigurisht një profesionist nuk do të vepronte kështu. Ai do të kërkonte më së pari të lexonte situatën, do të kërkonte me dhjetëra analiza dhe propozime konkrete. Por, diletantit nuk i interesojnë as studimet, as analizat e aq më pak propozimet. Diletanti drejton sipas stilit të tij "e di unë" dhe krijon përshtypjen se po ecën, madje mirë. Aq sa mund të themi se me diletantizmin tonë ia kemi "hedhur" Evropës dhe SHBA-së bashkë, pasi jemi me rritje ekonomike të paparë!

Mirë do ishte të merrte shembull dhe bota nga ne! Kështu kemi thënë dhe herë të tjera, por pas disa kohësh kemi kuptuar se çfarë gafash kemi bërë. Por ajo që më vret më shumë, është fakti se diletantizmi po bëhet sundues dhe në opinion. Madje, një pjesë e opinionbërësve, që pa asnjë mëdyshje bëjnë pjesë në ushtrinë e diletantëve, sapo shohin shenjat e para të një profesionalizmi p.sh. politik, i vërsulen sikur të kishin përpara djallin. Fyejnë, pasi fyerja është e vetmja armë që kanë, sepse argumentet nuk i njohin dhe përpiqen që të formatojnë opinionin sipas mënyrës diletante: "shpif, shpif se diçka do mbetet". Por ne duam të hyjmë në Evropë. E duam me çdo kusht. Por Evropa ka standarde, bota e sotme ka standarde, kërkon profesionalizëm dhe jo diletantizëm. Por ne kemi mendjen tonë dhe mënyrën tonë të drejtimit. E për të treguar se sa punë ka shoqëria jonë për të larguar nga vetja diletantizmin po e mbyll me shkollën. Të gjithë e kanë vënë re tendencën e diplomomanisë, masterizimit etj. etj.

Mjaft mirë, do të thoshte gjithkush që e shikon së jashtmi këtë tendencë. Por në të vërtetë interesi i të rinjve për të mësuar as që ka shenja ngritjeje, përkundrazi. Shumica luftojnë të kenë një karton, që mundësisht të shënojë dhe profesionin dhe me kaq mbaron puna. S‘ka nevojë të mësojmë. Ne dimë dhe mund të bëjmë gjithçka! Ne bëjmë juristin, avokatin, hetuesin, mjekun, inxhinierin, madje mund të bëjmë dhe disa prej tyre njëkohësisht. Nuk besoni? Shpallni një vend pune dhe mos përcaktoni kritere. Do të shikoni se sa shumë prej atyre që paraqiten thonë se dinë të bëjnë gjithçka. Dhe pedagogët! Japin çdo lëndë, sepse dikur e kanë bërë në shkollë! Diletantë! Por sigurisht të suksesshëm për sot. Po për nesër? Prandaj mendoj që sfida jonë më e madhe me vetveten është lufta kundër diletantizmit për të kapur ritmet e zhvillimit dhe për të kapërcyer kohën e humbur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›