E Diel, 1 Nëntor 2026

Paris Hiltoni e Rusisë

Katia Verber është me vonesë. Kjo është e zakonshme për një vajzë në Moskë, kur rrugët e ndërtuara që nga koha e sovjetikëve janë përherë të "mbytura" nga trafiku. Një nga problemet më të mëdha është se makina e bukuroshes 24-vjeçare, një "Bentley" ngjyrë floriri, ka pësuar një defekt. "Jam shumë e stresuar, por do të jem aty për 20 minuta", thotë me zërin e saj të hollë. Pas dy orë e gjysmë me vonesë, Katia vjen direkt në "Starbucks", në rrugën e famshme "Old Arbat". "Nëse shpenzoni rreth 250 mijë dollarë për një makinë, duhet të jetë e mirë apo jo?", e pyes, ndërsa ajo me një anglishte të prerë përgjigjet: "Jo, jo, jo. Makinat ‘Bentley‘ prishen shumë shpesh". Ndërsa nuk e kemi nisur ende bisedën, dëgjohet zilja e celularit, një "Vertu" prej titani, që kushton rreth 7000 dollarë. "E urrej zilen që ka", tregon ajo, ndërsa me të dyja duart shtrëngon një çantë të mrekullueshme "Balenciaga", edhe pse zilja e tij paksa acaruese bie pa pushim. "Le ta dinë të gjithë që ti ke një ‘Vertu‘. Është diçka e mrekullueshme". Telefoni vazhdon të bjerë, ndërsa Katia, pasi e nxjerr nga çanta, përgjigjet me një "alo" plot gjallëri. Trashëgimtarja ruse me flokët e errët, sytë e mprehtë dhe dhëmbët prefektë, është njësoj si një nga motrat Hilton këtu në Moskë. Ajo është vajza e Alla Verber, që drejton dyqanin më të madh të luksit në Rusi, "Mercury", i cili bleu "Dolçen", "Guçin" dhe "Pradën" në Rusi në mesin e viteve 1990. Katia punon si "blerëse" te "Mercury", por pjesën më të madhe të kohës ajo e kalon duke pozuar për revistat më në zë ruse, për të vendosur se në cilën festë duhet të shkojë dhe në cilën jo, si dhe duke zgjedhur se ku do i kalojë fundjavat. Sigurisht që kjo nuk është Moska e dikurshme, ku lista e pritjes për të blerë një veturë "Volga" zgjaste rreth 5 vjet. Çmimet e larta të gazit e shndërruan me një shpejtësi marramendëse kryeqytetin e dikurshëm të komunizmit. Sot Moska mburret me 73 miliarderë (duke u krahasuar me 70 që ka Nju Jorku), ndërsa numri i milionerëve rusë vitin e kaluar arriti në numrin 136000. Megjithatë, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve gjithashtu po rritet. Të ardhurat mujore janë akoma rreth 16253 rubla, ose 686 dollarë dhe 18.9 milionë rusë jetojnë nën linjën e varfërisë me të ardhura që nuk i kalojnë rreth 170 dollarë në muaj. Ashtu siç Katia thotë, ekzistojnë dy Rusi: ajo që ecën me paterica dhe tjetra që ecën me shpejtësi marramendëse dhe shpenzon të ardhura të mëdha nga gazi, në kurriz të braktisjes së të tjerëve, gjë që mund të ndodhë vetëm në një vend ku dikur letra e banjës konsiderohej si diçka luksoze. Është e premte pasdite, ndaj trafiku duket sikur është çmendur. Ndër të njohurit e Katias është edhe Daria Zhukova, që vetëm pak kohë më parë ishte në qendër të vëmendjes kur i dashuri i saj, një nga njerëzit më të pasur në botë, Roman Abramoviç, kishte shpenzuar plot 120 milionë dollarë për të blerë dy piktura që do të vendoseshin në galerinë e artit të Dashës. Abramoviç, i cili e ndërtoi pasurinë e tij përmes tregtisë së gazit, e që të gjithë e dinë se është edhe presidenti i klubit anglez të futbollit, Çelsi, është ndoshta një nga miliarderët më të njohur në Rusi, por më i pasuri në vend është Oleg Deripaska, që e ka ndërtuar perandorinë e tij me tregtinë e aluminit. Nuk mund të mos përmendim edhe njeriun e gjashtë më të pasur në vend, Mikail Prokhorov, cilësuar nga tabloidët vendas si "beqari më i kërkuar i Rusisë", deri ditën kur u arrestua, i akuzuar për administrimin e një rrjeti të gjerë prostitucioni. "Luxury village" është një kompleks rreth një orë larg Moskës, dhe e ëma e Katias ka ndihmuar të ndërtohet përreth një panoramë e mrekullueshme. Firma të tilla si "Guçi", "Yves Sant Lorent", "Tifani", dhe "Lamborxhini" marramendës janë shpërndarë gjithandej në pyllin e mrekullueshëm që të lë pa mend. "Këtu jetojnë gjithë njerëzit e pasur", thotë Katia. "Luxury village" është një tip resorti, ku tabelat tregojnë gjithandej për pasurinë e patundshme dhe kudo të sheh syri makina luksoze me xhama të zinj. "Kur njerëzit bëjnë pazar këtu, ata blejnë shumë gjëra dhe nuk shqetësohen aspak për çmimet", shpjegon Katia, kur e pyet se si ky fshat i vogël "luksoz" qëndron mbi ujë. Kur ulemi tek "A.V.E.N.U.E", një restorant krejtësisht bosh, me një shef kuzhine francez, ku luhet një muzikë e mrekullueshme tekno, Katia thotë se ka nevojë për cigare dhe sushi. Pasi rehatohet në një kolltuk të kuq lëkure, ajo porosit një paketë me cigare shumë të holla të quajtura "Vogue" dhe një lloj panine të mbushur, me çmim 26 dollarë, për të pasur më shumë fuqi para se të dalë për shopping. Pas disa orësh dhe mijëra dollarësh të shpenzuar për fustane "Balenciaga", Katia sërish vonohet, edhe pse kishte lënë një takim me shoqet e saj te "Denis Simachwv", një nga restorantet më të preferuar për momentin në Moskë. Në restorant, një "Kallashnikov" prej argjendi qëndron në mur, disa tullumbace plot ngjyra lëkunden prej tavanit, ndërsa në hyrje të barit qëndron një vizatim i ish-presidentit Xhorxh Bush, teksa u shpjegonte liderëve botërorë se çfarë mund të ndodhë brenda në burg. Kur sheh miqtë e Katias, mendon se njerëzit nuk pëlqejnë më që të vishen bukur dhe thjesht. Është ende ditë dhe Rakel bisedon me Samantën e veshur me një fustan mbrëmjeje "Armani", me një rrip lëkure në mes dhe një palë dorashka "Chanel". Mira mban në dorë një çantë "Hermès Kelly", ndërsa rreth qafës mban një shall "Louis Vuiton", me ngjyra leopardi. Vika, një stiliste moskovite, përveç veshjes ekstravagante, i ka prerë flokët dhe i ka lyer në një mënyrë që nuk hyn kurrsesi tek ato normalet. Mes njerëzve të tillë të duket vetja si në një nga episodet e filmit "Sex and the Russian City". "Të kesh të dashur nuk është e vështirë, tregon Rakel. Meshkujt këtu janë të përkëdhelur, sepse femrat janë shumë të bukura dhe raporti është dhjetë me një". "Por ne duam cilësi, jo sasi", vazhdon Katia. "Mirëpo, shumë meshkuj akoma duan që femrat të qëndrojnë në shtëpi. Kur një femër është e suksesshme, ata frikësohen", vazhdon më tej Rakel. Kur i pyet për meshkujt e suksesshëm, se me çfarë merren, përgjigjja e tyre është: "Me biznes". Brezi i ri, fëmijët e oligarkëve, miliarderëve dhe politikanëve, janë mësuar të mos flasin kurrë për paratë. Mes shoqeve të saj është edhe Ksenia Sobchak, edhe ajo e cilësuar si një lloj Paris Hiltoni e Rusisë. Bionde me sy bojëqielli, edhe ajo ka një mbiemër të rëndësishëm: është vajza e Anatolij Sobchak, ish-kryetari i Bashkisë së Shën Petërburgut.

Në qarqet e inteligjencës moskovite, Ksenia është quajtur "blajt", domethënë "e përdalë", për më shumë se një arsye. 28 vjeçe, me një numër të madh të fejuarish të pasur, një numër të madh kopertinash të guximshme në revistat mashkullore, Ksenia ka qenë edhe një nga prezantueset më të famshme të një spektakli tip "Big Brother", i cili shfaqej çdo mbrëmje në orën 21:00 në kanalin TNT. Edhe ajo, njësoj si Katia, adhuron veshjet firmato, i pëlqen shumë të bëjë ski dhe nuk "ngopet" kurrë me tortat me çokollatë. Me pak fjalë, fisnike dhe e rafinuar nga njëra anë, por vulgare dhe harbute nga ana tjetër. Megjithatë, në daljet e saj në publik mbizotëron ana e dytë. Në shfaqjet e saj, vajza kërkon patjetër të tregojë pushtet dhe prestigj dhe lëviz me "Porsche Cayenne". Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në fund, Katia, që do të paguajë faturën, nxjerr nga portofoli 500 rubla, ose rreth 100 dollarë. Ndërkohë, Vika është duke naviguar në internet me celularin e saj për një hotel të mirë në Nju Jork, ku dëshiron të shkojë për të ndjekur nga afër javën e modës njujorkeze. Mira, që sapo i ka kaluar të 23-at, thërret badigardin e saj për të parë se ku është makina. I duhet të largohet, sepse bashkëshorti me të cilin jeton prej tre vjetësh është duke e pritur në shtëpi. "Kjo është një nga disavantazhet e martesës", thotë ajo, duke rrudhur vetullat e pakënaqur. Katia është ende beqare dhe as që i shkon ndër mend të kthehet në shtëpi kaq herët. Ndalesa e radhës është në "Soho rooms", një klub nate me një "politikë" të rreptë kontrolli, çka do të thotë se të vetmit që lejohen të shkelin aty në një ambient aq luksoz janë vetëm burrat e pasur dhe femrat bukuroshe e tekanjoze. Katia gëzon statusin e VIP-it këtu dhe gjithmonë një tavolinë është e rezervuar për të me një çmim që fillon me 3000 dollarë. Megjithatë, simpatikja 24-vjeçare shpesh preferon të qëndrojë edhe te pjesa e restorantit, sigurisht për të ngrënë sushi. Ashtu si pjesa më e madhe e moskovitëve, bukuroshja 24-vjeçare i adhuron sushit. Ndoshta po të vish në Rusi e gjen menjëherë përgjigjen e pyetjes se përse peshku ton është drejt zhdukjes. Pas sushit, është koha e kërcimit. Nën shoqërinë e shampanjës, apo pijeve të tjera super të shtrenjta, atmosfera është shumë e ndezur. Katia shoqërohet kudo nga një eskortë badigardësh, të gjithë të veshur me kostume të zinj dhe me vathë në vesh, madje edhe në vendin e rezervuar për VIP-at, ku çdokush sheh në sy të tjerët që e rrethojnë. "Kjo është një këngëtare e famshme", thotë ajo teksa kthehet nga një "manekinë" bionde me buzë të fryra, e cila pozon e lumtur para një paparaci. Në orën 03:00 gjithçka arrin kulmin: në një cep, dy meshkuj në pistën e kërcimit u dhurojnë të tjerëve një ndeshje boksi, ndërsa një rrebesh shiu me copëza letre lloj-lloj ngjyrash mbulon gjithçka: kokat, veshjet, pijet. Por nata e Katias sigurisht që nuk mbaron këtu. Radha vazhdon me një tjetër klub nate me emrin "Krysha", ku të hysh nuk është aspak e lehtë. Katia tregon me ironi se ai që mund të hyjë aty, duhet të dijë fjalëkalimin sekret. Përmes shkallëve mund të ngjitesh deri në çati, që duket si qendra e botës. E përgjumur Katia thotë: "Nga këtu ofrohet pamja më e mrekullueshme e Moskës". Është ora gjashtë e mëngjesit. Në largësi dallohen kupolat e arta të Kremlinit dhe grataçielat prej çeliku të ndërtuara së fundmi në lagjen e biznesit në Moskë, që ndriçojnë nga dritat. Qyteti duket i përgjumur në të gdhirë, por klubi papritur është mbushur plot me njerëz të shquar, të cilët insistojnë që festa të vazhdojë, të paktën deri në mesditë, ose ndoshta më vonë. "Tani për tani jetoj momentin", pati thënë Katia në fillim të ditës. E në fakt, kishte të drejtë. Duket se nuk ka mënyrë tjetër për të jetuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›