E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet bllokojnë rrugët, deti 6 ballëpezullon lundrimin e anijeve

TIRANË - Moti i ngarkuar me reshje ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve lundruese. Ndërsa problemet më të mëdha janë shfaqur në det, ku tragetet në Vlorë e Durrës nuk janë nisur, mësohet se janë bllokuar edhe disa akse rrugore nga rrëshqitjet e gurëve dhe dherave.

VLORË E DURRËS, PEZULLOHET LUNDRIMI

Nga Vlora, Armand Xhelili, korrespodent i "A1 Report!" njofton se "moti i keq me shi dhe erëra të forta ka pezulluar lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese të tonazhit të rëndë si dhe të atyre të peshkimit. Trageti i linjës Vlorë - Brindisi nuk u nis sot në mëngjes. Kapiteneria ka ndaluar daljen në det të peshkarexhave. Në Vlorë, era shumë e fortë në drejtim të jugut fryn me 65 km në orë dhe deti në breg është 6 ballë, ndërsa në det të hapur 6-8 ballë. Moti i keq ka shkaktuar probleme me energjeni në periferi të Vlorës. Meteorologët parashikojnë që moti i keq do të jetë deri mbrëmje, kur mund  të kthehet në një furtunë.

Nga Durrësi, korrespodenti Artur Korriku informoi se "Dita e Verës është një ditë tipike dimri, e zymtë, me shi dhe erë. Prishja e motit ka filluar në mesnatë, kur Durrësi u përfshi nga një stuhi detare. Dy tragete janë nisur nga Bari, por ka mbërritur vetëm një prej tyre dhe pasagjerët e mallrat janë zbritur, kurse tjetri është  do të mbërrijë me vonesë, mundet pas një ore. Shpresohet që shiu ta ketë qetësuar erën dhe të mos ketë probleme. Porti detar funksionin pjesërisht, sepse përpunimi është  penguar, kurse anijet me tonazh të vogël e kanë të pamundur daljen në një det 6 ballësh; era fryn me drejtim nga jugu dhe mendohet që kjo kohë do të vazhdojë edhe nesër. Ndërsa në rrjetin e rrugëve, Durrësi nuk ka pasur probleme".

RRUGA KËLCYRË-PËRMET, RREZIKON BLLOKIMIN NGA RRËSHQITJET E GURËVE

Për shkak të motit të ngarkuar me reshje, mësohet se është bllokuar rruga Këlcyrë - Përmet. Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Shembjet e gurëve në rrugë ndodhën sot në mëngjes rreth orës shtatë, në vendin e quajtur Kuqar. Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore si dhe një fadromë e Drejtorisë së Rrugëve e cila e zhbllokoi kalimin pas 2 orësh. Gjithsesi, Policia ka njoftuar që drejtuesit e automjeteve duhet të kenë kujdes, sepse shkarjet e gurëve mund të përsëriten gjatë ditës. 

(ar.sh/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›