Reshjet e borës, vështirësi qarkullimi në disa akse rrugore
Policia urdhëron përdorimin e zinxhirëve për drejtuesit e automjeteve, shtohen patrullimet e Policisë Rrugore në Gjirokastër, Korçë e Kukës
Reshjet e dendura të borës në disa qytete të vendit ka sjellë edhe problemet e para në qarkullimin e automjeteve. Kjo ka bërë që policia të këshillojë drejtuesit e automjeteve që në zonat ku ka dendësi bore dhe sipërfaqe me akull, të përdoren zinxhirët. Ndërkohë që ka filluar puna që këto akse të rikthehen sërish në gjendjen normale. Specialistët e rrugëve kanë nisur hedhjen e kripës e skorieve në akset problematike, ndërkohë që policia është vënë në patrullim për të pasur nën kontroll situatën. Problematike paraqitet situata në zonat e Gjirokastrës, Kukësit dhe Korçës, ku dëbora ka shtuar vështirësitë në lëvizje dhe bllokim të akseve në zonat e thella. Sipas të dhënave të para të vëna në dispozicion nga burimet zyrtare policore, në zonën e Korçës, reshjet e dëborës kanë vazhduar përgjatë natës dhe gjithë ditës së djeshme, ndërkohë që temperaturat kanë zbritur deri në -3 gradë celsius. Në qytet trashësia e borës ka arritur deri 5 cm, ndërsa në Qafën e Qarrit, në rrethin e Kolonjës, vende-vende për shkak edhe të erës, arrin deri 15 cm. Lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë. Vështirësi ka edhe në Qafë-Plloçë, në rrethin e Pogradecit, ku edhe në këtë aks rrugor automjetet nuk mund të kalojnë pa zinxhirë dhe për t’i bërë më të zbatueshme këshillimet e dhëna nga policia rrugore, janë shtuar patrullat e uniformave blu në këtë rreth. Po sipas të njëjtave burime, ka filluar kriposja dhe hedhja e skorieve në zonat ku ka vështirësi qarkullimi nga automjetet, konkretisht në akset rrugore që lidhin Korçën me Kapshticën, Ersekën dhe Pogradecin. Gjithashtu, në gatishmëri qëndrojnë edhe 2 borëpastruese si dhe mjete te tjera me zinxhirë. Gjendje gati e njëjtë paraqitet edhe në rrethin e Gjirokastrës. Qarkullimi i automjeteve është mjaft i madh, ashtu si dhe në Korçë, për shkak të kthimit të emigrantëve për festat e fundvitit, ndërkohë që për herë të parë për këtë vit qyteti i gurtë është gdhirë i zbardhur nga bora. Megjithatë, edhe në këtë zonë, angazhimi për t’i bërë akset rrugore të kalueshme ka qenë mjaft i madh. Sipas burimeve zyrtare, të gjitha akset nacionale janë të hapura. Vështirësi në kalim janë hasur dje edhe në Qafë-Muzinë, por menjëherë punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve kanë hedhur kripë dhe skorie. Problematike gjendja ka qenë në fillimet e ditës edhe në komunën e Zagorisë në Gjirokastër, ku bora ka arritur trashësinë 20 cm, si dhe në Tetran të Përmetit ku trashësia ka arritur në 12 cm. Me gjithë trashësinë e borës, njoftohet se jo vetëm akset kryesore, por edhe ato rurale rezultojnë të hapura. Megjithatë, nga patrullat e Policisë Rrugore monitorohet përdorimi i zinxhirëve nga ana e drejtuesve të automjeteve. Kritike situata është paraqitur edhe në rrethet veriore, kryesisht në zonën e Kukësit. Edhe në këtë rreth, për shkak të vështirësive në qarkullim për automjetet, është rekomanduar përdorimi i zinxhirëve. Akset janë të kalueshme, por të detyrueshme për përdorim të zinxhirëve. Sipas burimeve zyrtare policore, janë dyfishuar postblloqet, veçanërisht në aksin Morinë – Kukës, Qafë-Shllak – Kukës – Krumë e Kukës – Shishtavec, ku ka një lëvizje më të madhe automjetesh. Policia e Kukësit ka urdhëruar përdorimin e zinxhirëve, duke mos lejuar asnjë automjet të lëvizë pa to, ndërkohë që mbi rrugët me vështirësi qarkullimi është hedhur kripë e skorie. Temperaturat mësohet të jenë deri -11 gradë, ndërkohë që trashësia e borës ka shkuar deri në 10 cm. Nga ngricat dhe krijimi i akujve kanë qenë të bllokuara komunat Arren, Kalis, Grykë-Caj, Shishtavec, Bushtricë dhe Zapot. Zhbllokimi i tyre është bërë vetëm mesditën e djeshme.