Kriza globale larg mikrofinancës në Shqipëri
Unioni i Kursim-Kreditit do mbështesë zonat rurale
Sektori i mikrofinancës ka tepricë kredie prej 11.7 miliardë lekësh
Sektori i mikrofinancës në Shqipëri nuk do të preket nga efektet e krizës financiare globale. Ashtu sikur sistemi bankar shqiptar, që është solid dhe me likuiditet të mirë, edhe mikrofinanca nuk do të lëkundet nga efekti krizë. Sektori i mikrofinancës në vendin tonë mbështet kryesisht zonat rurale me kredi për të zhvilluar aktivitetet e tyre. Deri më tash, sipas drejtuesve të Unionit Shqiptar të Kursim-Kreditit vihet re një likuiditet i qëndrueshëm në këtë sektor. Nuk ka pasur probleme në shlyerjen e kredive. Madje Zana Konini, drejtorja ekzekutive e Grupit të Unionit të Kursim-Kredive, vë theksin se Unioni i Kursim-Kredisë ka një cilësi të mirë të portofolit dhe portofoli me risk është 0.5 për qind. Në një kohë që sistemi bankar aktualisht ka nivelin e kredisë së keqe në nivelin 3.6 për vitin 2007. Konini nuk e fsheh se Unioni ka cilësi portofoli shumë më të mirë se sistemi bankar. Ky grupim ka rreth 14.500 klientë dhe brenda vitit 2008 aspiron të shkojnë në 19 mijë dhe në vitin 2013 rreth 44 mijë klientë. Në vitin 2007, SHKK-të dhanë 27 milionë euro kredi, ndërsa në vitin 2008 portofoli i kredisë shkon rreth 31 milionë euro. Por gjithsesi, institucionet e mikrofinancës mendojnë që për vitin 2009 të rrisin portofolin e kredive për të mbështetur zonat rurale. Ata ende nuk kanë dalë me një raport përfundimtar për vitin 2008, por të dhënat paraprake tregojnë për një rritje të aktiviteti gjatë këtij viti, çka premton më shumë mbështetje për biznesin në zonat malore dhe rurale për vitin 2009. Rritja e aktivitetit dhe zgjerimi i hartës gjeografike tregon për më shumë kapital të lëvruar nga institucionet e mikrofinancës në vitin që vjen. Sipas drejtuesve të disa institucioneve financiare, pamundësia e institucioneve klasike bankare për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomive të vogla, ka çuar në zhvillimin e institucioneve të mikrofinancës kudo në botë, si përgjigja më e përshtatur për këtë klientelë. Në zbatim të objektivave të OKB-ë për mijëvjeçarin për përhapjen dhe mbështetjen e mikrofinancës, sot është bërë e mundur që miliona njerëzve në botë t’u jepet mundësia të marrin shërbime financiare dhe të aktivizojnë me sukses talentin e tyre, frymën e sipërmarrjes dhe vullnetin për të punuar. Edhe në vendet e zhvilluara bankat klasike i shërbejnë jo më shumë se 20% të popullsisë, duke lënë jashtë një pjesë të konsiderueshme të komunitetit. Sipas një studimi të Bankës Botërore, llogaritet që tregu global i mikrokredisë në botë është mbi 100 milionë klientë. Fillimet e mikrofinancës në Shqipëri u shfaqën në zonën rurale në fund të vitit 1992, në kuadrin e një programi për lehtësimin e varfërisë. Tani në treg operojnë suksesshëm disa institucione mikrofinance, si Unioni SHKK, fondi “Besa”, Oportunity Albania, FFZM, unioni “Jehona” etj., aktivitet ky i shtrirë në të gjitha rrethet e vendit. Në fund të vitit 2007, sektori i mikrofinancës në Shqipëri rezulton me një tepricë kredie prej 11.7 miliardë lekësh, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në totalin e kredisë në lekë të dhënë për individët.
Institucionet e mikrofinancës në Shqipëri kanë bërë një përpjekje të madhe për të zgjeruar e përmirësuar në vazhdimësi shërbimin ndaj klientelës, duke u bërë nxitës të zhvillimit ekonomik të një pjese të komunitetit dhe duke kontribuar në punësimin, rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e nivelit të tyre të jetesës.
Gjatë vitit 2007, Unioni i Shoqërive të Kursim-Kreditit ka dhënë 3500 kredi me një shumë totale prej 729.5 milionë lekësh për fermerët. Sipas burimeve nga ky union, depozitat kanë arritur në 25.8 milionë lekë ose dy herë më shumë se në vitin 2006. Krahas kërkesave për kredi fillestare, ka pasur kërkesa edhe për rifinancim (252 kërkesa), me një vlerë totale prej 549.8 milionë lekësh. Unioni Shqiptar i Kursim-Kreditit (USHKK) është institucion mikrofinanciar i licencuar nga Banka e Shqipërisë, që ka si objektiv kreditimin e fermerëve. Ky union e ka filluar aktivitetin e tij, duke u bazuar në përvojën e projekteve të mikrokredisë, të zbatuara që nga viti 1992 dhe vepron në bashkëpunim me partnerë të tillë si, Banka Botërore, qeveria zvicerane, Nisma e Evropës Qendrore, FIDES, Rabobank etj. Që nga fillimi i aktivitetit e deri tani janë dhënë 76 kredi aktive, kurse portofoli total i kredisë është 8.6 milionë USD.
Grupimi i Unionit të Kursim-Kreditit ka rreth 14.500 klientë aktualisht dhe brenda vitit 2008 aspirojnë të shkojnë në 19 mijë dhe në vitin 2013 rreth 44 mijë klientë. Në vitin 2007, SHKK-të dhanë 27 milionë euro kredi, ndërsa në vitin 2008 portofoli i kredisë shkon rreth 31 milionë euro. Ndërsa për sa u përket depozitave, për vitin 2007 niveli i saj arriti në 6.6 milionë euro dhe gjatë vitit 2008 niveli i depozitave pritet të shkojë në 9.7 milionë euro. Deri më tash, vlera më e madhe e kredisë ka shkuar deri në 4 milionë lekë të reja, por janë bërë shumë përjashtime. Unioni ka nisur të prodhojë një lloj produkti që e quajnë kredi për SME-të (Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme) që për bankat është kredi e vogël. Kjo ka një procedurë shumë të plotë të analizës së dosjes, së kolateralit.
Në pjesën më të madhe mesatarja e kredisë është rreth 300 mijë lekë.