Reshjet e dëborës, Berisha: Zhbllokim të akseve rrugore me çdo kusht, për të shpërndarë ndihmat ushqimore

Grupi Parlamentar i PD mban një minutë heshtje për viktimat e ortekut të dëborës në Kosovë dhe viktimën e motit në Has. Berisha flet për vizitën në Azerbajxhan, ndërsa konfirmon se vitet e ardhshme do jenë vitet e gazifikimit të Shqipërisë
Mbledhja e grupit parlamentar demokrat nisi sot me një minutë heshtje për viktimën nga moti i keq në Has, por edhe për familjen Reka e cila gjeti vdekjen nga orteku në Kosovë. Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të minimizuar pasojat e këtij dimri së pari mbi jetën e qytetarëve dhe më pas për pasurinë e tyre. “Deri më sot, një person ka vdekur si pasojë e reshjeve të borës. Janë bërë përpjekje mbi njerëzore për të dhënë ndihmën mjekësore. Me dhjetra fluturime janë bërë dhe sa herë ka qënë e mundur dhe në kushte më të vështira janë ndihmuar të sëmurët në gjendje urgjence”- ka theksuar Berisha ndërsa shtoi se janë bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur të hapura akset e mëdha kombëtare, si dhe për të realizuar shpërndarjen e ushqimeve për familjet në nevojë. Duke kërkuar solidaritet dhe mbështetje mes komuniteteve të këtyre zonave, kreu i qeverisë theksoi se dy nga problemet më të mëdha në këtë situatë janë trashësia e dëborës mbi çatitë e banesave dhe orteqet.
Vizita në Azerbajxhan, 4 vitet e ardhshme do jenë vitet e gazifikimit të Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur sot se përparësi në 4 vitet e ardhshme për Shqipërinë do të jetë gazifikimi. Kështu komentoi sot kreu i qeverisë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD ku komentoi gjerësisht vizitën që kreu para disa ditësh në Azerbajxhan. “Përparësi për vendin tonë në 4 vitet e ardhshme do të jetë gazifikimi. Azerbajxhani do të ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim. ne kemi zero sistem gazifikimi në Shqipëri. Por gazifikimi është kusht për Shqipërinë e zhvilluar”, theksoi Berisha në mbledhjen e grupit të PD. Më tej kreu i qeverisë bëri të ditur se ndihmë për projektin e gazifikimit do të jetë gazsjellësi Trans Adriatik që do kalojë në Shqipëri. “Investimi në Shqipëri për gazsjellësin do të jetë 1 mld dollarë. Gazsjellësi duke kaluar në Shqipëri do krijojë rrethanat që të shitet më lirë”- tha ai.
...