Berisha: Shqipëria mund të shndërrohet në një superfuqi energjetike në rajon
Autoritetet azere dhe komuniteti i biznesit organizojnë një darkë për nder të vizitës së kryeministrit Sali Berisha. Shefi i ekzekutivit promovon potencialet ekonomike të Shqipërisë si dhe fton biznesin azer të investojë në vendin tonë
Autoritetet azere dhe komuniteti i biznesit në Baku, organizuan një pritje të veçantë për vizitën e Kryeministrit Sali Berisha në Azerbajxhan. Aty merrnin pjesë personalitete politike, fetare dhe të biznesit të vendit si, Zëvendëskryeministri i Azerbajxhanit Nadir Huseynov, Ministri i Sportit dhe i Rinisë, kreu i besimit islam, deputetë të Parlamentit, diplomatë dhe përfaqësues kompanish vendase, etj. Kryeministri Berisha përshëndeti pjesëmarrësit, duke i falenderuar ata për pritjen e ngrohtë dhe miqësore të rezervuar në të gjitha takimet e zhvilluara gjatë kësaj vizite. Berisha u shpreh se e cilësonte vizitën shumë të rëndësishme dhe frytdhënëse në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Jam thellësisht i bindur se marrëdhëniet midis vendeve tona do të kenë një të ardhme të shkëlqyer. Liderët tuaj i kam takuar edhe më parë. Kam takuar më shumë se një herë presidentin e ndjerë Heydar Aliyev, kur isha president i vendit. Dhe kur erdha në pushtet kam takuar disa herë presidentin Ilham Aliyev dhe kam patur gjithmonë takime shumë miqësore. Erdha me zemër të hapur në këtë vend mik, por ajo çfarë unë konsideroj më të rëndësishme është se gjeta ndjenja dhe vlerësime shumë miqësore nga lidershipi juaj për të inkurajuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme” - theksoi kryeministri, duke theksuar se këtë bindje ndanin edhe personalitetet më të larta të Azerbajxhanit, Presidenti Aliyev, kryeministri Rasi-zade dhe kryetari i Parlamentit Asadov. Berisha garantoi se qeveria shqiptare nga ana e saj do të bëjë gjithçka për të përmirësuar në vazhdimësi klimën ndaj biznesit, në mënyrë që investimet azere, por edhe të gjitha investimet e huaja në tërësi të jenë një histori e vërtetë suksesi. Duke vlerësuar se Shqipëria dhe Azerbajxhani janë dy vende me potenciale të jashtëzakonshme për të punuar së bashku, kryeministri bëri një ekspoze të mundësive që ofron Shqipëria për investitorët e Azerbajxhanit në fusha të ndryshme si, turizëm, energji, etj. “Jam thellësisht i bindur se marrëdhëniet midis vendeve tona do të kenë një të ardhme të shkëlqyer. Pas takimit me presidentin Aliyev, ai i tha medias se padyshim që do të ketë zhvillime shumë të rëndësishme në marrëdhëniet e dy vendeve tona. Të njëjtat vlerësime dhe ndenja i gjeta edhe tek kryeministri i vendit dhe kryetari i Parlamentit. Dy vendet tona kanë patur një të shkuar të përbashkët, nën të njëjtën çati, atë të perandorisë otomane. Është detyra jonë për të ndërtuar një të ardhme të shkëlqyer. Ne kemi potenciale të jashtëzakonshme për të punuar së bashku. Jemi të dy vende që po ecim shpejt drejt zhvillimit. Shqipëria është porta e Ballkanit në Europë dhe porta e Europës në Ballkan. Në vend kemi një mjedis shumë miqësor për biznesin. 4 vitet e fundit investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me 316%. Në vitet 2009-2011 eksportet tona u dyfishuan. Shqipëria në vetvete është një vend i vogël në Evropë, por më shumë potenciale. Është një vend plot me ujëra, është një Norvegji e vogël në Ballkan. Prandaj, qeveria shqiptare ka nënshkruar gjatë tre viteve 110 marrëveshje koncensionare me sektorin privat për ndërtimin e 300 hidrocentraleve. Investitorët azerë janë më se të mirëpritur të marrin pjesë në këtë garë të hapur dhe shumë fitimprurëse. Kompani nga e gjithë bota po punojnë në Shqipëri. Kompanitë turke janë atje. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Shqipëria mund të bëhet një qendër shumë e rëndësishme e energjisë për kompanitë e Azerbajxhanit, në rajon. Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të mirë”- u shpreh Berisha. Kryeministri solli në vëmendjen e biznesit azer, ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik, duke theksuar se ka diskutuar për të me presidentin Aliyev.
Duke vijuar ekspozenë e zhvillimeve ekonomike, Berisha u ndal te turizmi duke vlerësuar se Shqipëria u vizitua në vitin 2011 nga plot 4.1 milionë turistë. Për kryeministrin, turizmi është një mundësi e mirë për investitorët nga Azerbajxhani.
“Turizmi është një fushë tjetër shumë e rëndësishme. Më lejoni t’ju përmbledh shkurtimisht ku ka arritur Shqipëria. Në vitin 2004 vendi im priti 300 mijë turistë dhe vizitorë së bashku. Në vitin 2011 pati 4.1 milionë turistë dhe vizitorë. Jam i bindur se investitorët azerë do të gjejnë në sektorin e turizmit mundësi shumë të mira për investime”. Berisha bëri një bilanc të investimeve të huaja në Shqipëri, duke u ndalur te investimet turke, të cilat prej vitit 2005 janë rritur me 7 herë. “Më lejoni t’ju jap një shembull. Me Turqinë prej vitesh kemi patur marrëdhënie shumë miqësore. Prej vitit 2005 dhe në vazhdim investimet turke janë rritur më shumë se 7 herë, dhe janë të gjitha investime në sektorë vendimtarë. Ju siguroj se marrëdhëniet ndërqeveritare dhe inkurajimi i biznesmenëve kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Dhe uroj që të luajnë të njëjtin rol në rastin tonë, midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Po theksoj një fakt, në planetin tonë ka patur dy Shqipëri, një “Albania e Kaukazit” dhe një Shqipëri në Ballkan. Cilat ishin lidhjet në të kaluarën është shumë e paqartë, është në duart e historianëve ta qartësojnë atë. Por çfarë do të bëjmë për të ardhmen është shumë më e rëndësishme duke punuar së bashku, dhe ju siguroj se jam shumë i përkushtuar ndaj saj”- vijoi më tej Berisha.
Pas takimeve të zhvilluara me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, kryeministrin Artur Rasi-zade, dhe Kryetarin e Parlamentit Oktay Asadov, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan disa vende me rëndësi dhe interes kulturor të kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku. Fillimisht Kryeministri vizitoi Muzeun e Flamurit, i cili ndodhej nën flamurin e madh në qendër të sheshit. Ky flamur është shënuar si një rekord guiness për nga lartësia e shtyllës ku është vendosur dhe pesha. Gjatë vizitës së tij në muze, kryeministri Berisha la një shënim në librin e përshtypjeve. Më pas, kryeministri Berisha dhe delegacioni shoqërues panë nga afër edhe vendin ku po ndërtohej pallati për Eurosong 2012.