Reshjet e dëborës, probleme në disa zona të vendit

Moti i keq dhe rreshjet e dëborës kanë përfshirë mëngjesin e së premtes gati të gjithë territorin e vendit. Temperaturat janë ulur në menyrë të ndjeshme, ndërsa sasia e dëborës ka shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në disa akse. Problematike paraqitet situata në qarkun e Dibrës, ku rezultojnë disa komuna të bllokuara. Kështu sipas korrespondentit tonë në Dibër, rezultojnë të bllokuara Komunat Lurë dhe Kalaja e Dodës. Po kështu, e bllokuar është komuna Zerqan në Peshkopi, ndërkohë që probleme hasen në Xibër dhe Macukull të Matit. Sipas të njejtave burime aksi Peshkopi-Klos është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa pika më problematike paraqitet Qafa e Buallit. Ekzistenca e problemeve pranohet edhe nga Prefekti i Dibrës, Xhaferr Sehiti. Në një prononcim telefonik për "Ora Neës" ai u shpreh se 'ka probleme në disa komuna të Qarkut', por 'asgjë emergjente'. Sipas tij, menjhërë është mbledhur Shtabi i Emergjencës, i cili ka analizuar situatën dhe ka marrë masat për menaxhimin e situatës. Reshjet e dëborës kanë mbuluar dhe shumë zona të tjera të vendit. Në Pukë dëbora ka sjellë probleme në qarkullim në Qafë Mali. Probleme hasen edhe në aksin Tiranë Elbasan, Në qafën e Krrabës trashësia e dëborës ka arritur deri 30 centimetra, ndërsa kalimi në këtë aks kryhet vetëm me zinxhirë. Reshjet e shumta të dëborës që filluan të bien gjatë natës së kaluar kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve në rajonin e Korçës. Sipas të dhënave nga Korcca trashësia e dëborës arrin në 10 centimetra në qytetin e Korçës dhe mbi 30 centimetra në zonat e larta malore të Dardhës, Voskopojës, Vithkuqit, por aktualisht nuk ka asnjë zonë të bllokuar. Probleme paraqiten në lëvizjen në akset. Korçë-Pogradec në Qafën e Plloçës, aksi Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit, rrugët për në Voskopojë, Dardhë e Liqenas. Trashësia e dëborës edhe në qytetin e Korçës ka bërë thuajse të detyrueshme qarkullimin e mjeteve me zinxhirë mbrojtës. Ndërkohë policia shprehet se ka marrë të gjitha masat për garantimin e shërbimit. Reshje dëbore janë regjistruar edhe Qarkun e Gjirokastrës, ku vështirësi po haset në komunat e Zagorisë dhe Pogonit, ndërsa ka probleme në aksin Gjirokastër-Sarandë, në Qafën e Muzinës. Në përmet rezulton e bllokuar komuna Frashër. Vështirësi po hasen edhe në Vlorë. Problemet më të mëdha paraqiten në Qafën e Llogarasë.