E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e shiut, Durrësi zhytet nën ujë

DURRES-Kishte 15 vjet që në Durrës nuk ishin regjistruar sasi të tilla reshjesh si ato të 24 orëve të fundit, kur rrëketë e shiut nuk patën të sosur. Një situatë e tillë meteorologjike shkaktoi përmbytje në disa zona të Durrësit. Ndërprerja e energjisë elektrike vetëm për një orë mbrëmjen e së premtes, pasoi me ndërprerjen e funksionimit të hidrovorit të Porto-Romanos e për pasojë 25 banesa dhe rruga automobilistike u përmbytën. Të njëjtin fat me to pësuan edhe dy shkolla të qytetit, disa rrugë dhe një garazh i madh makinash.
Bilanci ishte 2 shkolla të përmbytura nga uji, i cili pushtoi oborret dhe katet e para të tyre. Bëhet fjalë për shkollën e mesme “Olsi Lasku” në Shkozet dhe për atë 9-vjeçare në Porto- Romano. Gjithashtu u përmbyt rruga e Spitallës (e cila është në proces riparimi) si dhe 25 banesa në zonën e ish-Kënetës në zgjatim të kësaj rruge. Shkak për përmbytjen e banesave ishte dalja jashtë funksionit e hidrovorit të Porto-Romanos për mungesë të furnizimit me energji elektrike. Ujërat e kanalit kryesor të Durrësit dolën nga shtrati i tyre dhe vërshuan në rrugë e nëpër oborret e banesave.
Një situatë e tillë paralizoi pothuajse fare punën në portin detar të Durrësit, duke mos lejuar qoftë edhe për një orë të vetme hapjen e hambarëve të anijeve. Shtabi i emergjencës në nivel prefekture ka qenë në gatishmëri gjatë natës dhe në disa raste ka dërguar mjete pune për pompimin e ujërave nga katet e para të disa objekteve si dhe nga garazhi i përmbytur.
Vetëm në orët e mesditës një pjesë e tyre u kthye në normalitet. Ndërkaq, në portin detar funksionoi vetëm terminali i trageteve në një kohë që sektorët e tjerë mbetën të paralizuar.
(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›