E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: 2 miliardë lekë për të kompensuar rritjen e dritave

Pavarësisht vendimit të Entit Rregullator, qeveria planifikon të vendosë në rezervat e saj rreth 2 miliardë lekë, të cilat mund të përdoren për të kompensuar familjet që preken nga rritja e çmimit të dritave.

Qeveria pret të mbledhë rreth 360 miliardë lekë nga taksat për vitin 2010. Për këtë shkak, rritja e pagave dhe pensioneve do të vijojë të jetë ende politikë e qeverisë, edhe në vitin tjetër. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës paraqiti dje në konferencë planifikimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, si dhe pikat kyçe të këtij buxheti. "Janë 360 miliardë lekë të ardhura, nga të cilat shpenzimet që parashikohen janë afërsisht 409.9 miliardë lekë, deficit buxhetor ky që do të mbulohet nga financime të huaja", tha Prifti. Sipas ministrit, pavarësisht se i gjithë rajoni po përjeton ende situatën e krizës, në Shqipëri të ardhurat e buxhetit të shtetit parashikohen të rriten rreth 12%. Edhe shpenzimet, krahasuar me vitin 2005 kanë qenë vetëm 27% të GDP-së, në buxhetin e këtij viti buxhetor ato bëhen 32%. Sa i takon ekonomisë, ministri parashikon një rritje për vitin që vjen me 6.5 për qind, kurse nivel inflacioni 2 deri në 3 për qind.

"Një gjë që na ndan dhe na veçon nga të gjitha vendet e tjera europiane dhe nga ato fqinje është parashikimi për të rritur rrogat dhe pensionet në masën 10 për qind. Rrogat dhe pensionet do të fillojnë të rriten, duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2010", veçoi kreu i METE-s, duke shtuar se rritje më të lartë do të kenë pagat dhe pensionet e ulëta. Sipas Priftit, rritja do të jetë më shumë se sa 10 për qind. "Nuk do të ngelet pa u trajtuar edhe ndihma sociale ekonomike e përqendruar te familjet më të varfra në Shqipëri qe janë rreth 1.3-1.4 për qind e familjeve shqiptare, duke synuar edhe eliminimin e abuzimeve nga skema e ndihmës ekonomike", tha ministri i Ekonomisë.

Duke folur për rritjen e dritave, ministri garantoi se në buxhet do të rezervohen rreth 2 miliardë lekë si kompensim për shtresat në nevojë. "Nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë buxheti parashikon 2 miliardë lekë për të kompensuar rritjen e çmimit për familjet në nevojë", siguroi Prifti. Ministri foli edhe për naftën D2, e cila duke nisur nga viti 2010 nuk do të qarkullojë më në treg, për asnjë mjet dhe automjet në Shqipëri, por vetëm për industrinë.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›