E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Asnjë transparencë për shembjen e tunelit

Partia Socialiste denoncoi dje faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet në tunelin e rrugës Durrës-Kukës, jo vetëm që nuk ka marrë mundimin të informojë publikun për atë që ka ndodhur, por është përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehë këtë ngjarje të rëndë. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj tha se shqetësimi bëhet më serioz nëse kujtojmë se po e njëjta kompani, që tash e katër vjet po bën një hap para e dy hapa prapa në ndërtimin e kësaj rruge, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Bostonit, i cili ka pasur ekzaktësisht po të njëjtat probleme sigurie. "Shembja e radhës e tunelit ngre një sërë pyetjesh serioze, për të cilat ne sot kërkojmë përgjigje. Çfarë po ndodh sot me tunelin e Kalimashit? Si e shpjegon ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel që ka kushtuar me qindra miliona euro shembet papritur katër muaj pas përurimit të radhës së Kryeministrit? Sa do t‘u kushtojë kjo shembje e fundit qytetarëve shqiptarë, të cilët sot janë më të varfër se kurrë?", tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›