E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina e gripit të derrit, të parët do ta marrin mjekët

Të parët që do të marrin vaksinën specifike për gripin e derrit do të jenë punonjësit e shëndetësisë. Dy muaj më parë, të parët që bënin pjesë në grupin e prioriteteve ishin punonjësit e forcave të rendit. Ndërkaq, dje, zëvendësministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, Bardh Spahia, sqaroi se menjëherë pas blerjes së vaksinave specifike për AH1N1, të parët në listë janë punonjësit e shëndetësisë. "Bluzat e bardha janë më të rrezikuarit dhe kanë probabilitet më të madh për t‘u prekur nga gripi i derrit. Kategoria që rrezikon më shumë janë punonjësit e shëndetësisë, ndaj ata do të jenë edhe të parët që do të

vaksinohen", tha zv/ministri Spahia. Brenda një kohe të shkurtër pritet që vaksina e gripit të derrit të mbërrijë në Shqipëri dhe të bëhet vaksinimi i kategorive prioritare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, specialistët kanë me përparësi mbylljen sa më shpejt të procesit të blerjeve të vaksinës specifike të AH1N1. "Ministria e Shëndetësisë është duke përfunduar procedurat e prokurimit të vaksinës specifike të gripit të derrit, AH1N1. Sipas autoriteteve shëndetësore, brenda një kohe të shkurtër në Shqipëri do të fillojë vaksinimi për mbrojtjen nga virusi AH1N1 për disa kategori", sqaroi dy ditë më parë Dikasteri i Shëndetësisë. Sakaq, para dy ditësh ka mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik një sasi e re preparati antiviral Tamiflu, doza të cilat jepen për të gjitha rastet e dyshuara me grip derri. Janë rreth 10 mijë doza të cilat do të shpërndahen në spitalet në të gjithë vendin. Bashkë me 9 rastet e reja të bëra publike dy ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë, konfirmohen gjithsej 44 shqiptarë të prekur nga ky virus. Të gjitha rastet e evidentuara deri tani janë prekur nga forma e lehtë e virozës dhe janë trajtuar kryesisht në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›