E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sistemi i referimit, jo më radhë të gjata në spitale”

TIRANE-gjidhja e vetme për të përballuar mbingarkesën fiktive që ekziston ende në QSUT do të jetë zbatimi i sistemit të referimit të pacientëve. Ministri i Shëndetësisë ka pranuar faktin se ky shqetësim është ende evident dhe se do të përdoren mënyra alternative për ta çliruar sistemin nga ky problem për gati 20 vite. “Thelbi i sistemit të referimit që ne kemi vendosur, ka të bëjë pikërisht me faktin që shumë e shumë probleme të panevojshme dhe trajtime krejt të panevojshme që bëhen në mënyrë të veçantë, ndodhin pikërisht për këtë mbingarkesë fiktive artificiale. Gjithmonë e më shumë pacientët të mos vijnë më nga rrethet, por ta marrin ndihmën shëndetësore në qytete”, - u shpreh kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ndërkohë, zv/ministri i Shëndetësisë, Bardhi Spahia ka bërë të ditur se sistemi i referimi të pacientëve që ka nisur të zbatohet që në fillim të tetorit, po funksionon dhe është vënë re një pakësim i numrit të pacientëve në qendrat spitalore në vend. 
Sistemi i referimit, sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, ka për qëllim rritjen e rolit të mjekut të familjes dhe reduktimin e numrit të pacientëve pranë spitaleve. Spahia sqaroi gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë po punon me intensitet të lartë për të eliminuar të gjitha barrierat në shkurtimin e marrjes së kohës së shërbimit nga qytetarët.
Shërbimi shëndetësor në spitalet apo poliklinikat publike për personat që nuk janë të siguruar, tashmë kushton më shtrenjtë. Tarifat e reja të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se vizitat fillojnë nga 500 lekë të reja deri në 3000 lekë të reja, kjo në varësi të mjekut specialist dhe spitalit ku merret shërbimi. “Një vizitë tek mjeku i familjes për të pasiguruarit kushton 1000 lekë të reja, një vizitë tek specialisti në poliklinikë, 1500 lekë të reja, në QSUT, 3000 lekë të reja, në spitalet rajonale, 2000 lekë të reja”. Nga pagesat e vizitës të afishuara në të gjitha institucionet shëndetësore në vend nuk mund të shpëtojnë edhe të siguruarit që shmangin sistemin e referimit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›