Reshjet e shiut, mblidhet Shtabi i Emergjencave për masat
Mbledhja e këtij grupi është urdhëruar nga kryeministri, Sali Berisha. Grupi Ndërministror i Emergjencave miratoi planveprimin për monitorimin dhe koordinimin e të gjitha strukturave për mbajtjen nën kontroll të situatës. Konkretisht, në qarqet Shkodër dhe Lezhë, shtabet e emergjencës funksionojnë në mënyrë permanente duke ndjekur situatën orë pas ore dhe duke verifikuar informacionin nga të gjitha hallkat e kontrollit. Nëpërmjet shtabeve të emergjencës janë njoftuar drejtuesit vendorë të të gjitha niveleve si dhe komuniteti i zonave që mund të rrezikohet nga prurjet e mëdha ujore për gatishmërinë e duhur dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm.Spitalet dhe qendrat shëndetësore janë njoftuar gjithashtu për të qenë të përgatitura për çdo situatë që mund të krijohet. Konkretisht në terren dhe në gatishmëri janë strukturat dhe mjetet e emergjencave civile, struktura dhe mjete të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Bordeve të Kullimit. Hidrovoret janë në gatishmëri të plotë dhe punojnë pa ndërprerje. Strukturat e KESH-it po monitorojnë pa ndërprerje prurjen e ujërave në digat e të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit duke ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme për shkarkimin e tyre dhe njëkohësisht për furnizimin e popullatës me energji elektrike. Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile do të monitorojë situatën në vijimësi dhe do të mblidhet vazhdimisht për të marrë vendimet përkatëse deri në shmangien e çdo rreziku të mundshëm apo krijimin e ndonjë situate emergjente.