E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e shiut, përmbytje dhe dëme në Jug

Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë gjatë 48 orëve të fundit Jugun e vendit, kanë shkaktuar daljen e lumenjve nga shtrati i tyre. Kështu "tërbimi" i Vjosës, Drinos dhe Gjanicës ka shkaktuar bllokim të akseve nacionale, rrëshqitje dherash, përmbytje banesash dhe ka vënë në rrezik jetë njerëzish. Kështu në Gjirokastër, për shkak të daljes nga shtrati të dy lumenjve kryesorë të rajonit jugor, Vjosës dhe Drinos, vërshimet e ujërave të tyre kanë përmbytur disa lagje e rrugë në qendrat e banuara. Ndërkaq mësohet se është përmbytur nënstacioni i vjetër i Gjirokastrës, duke ndërprerë të paktën për 20 orë furnizimin me energji elektrike për pjesën më të madhe të qytetit dhe në shumë fshatra në komunat e qarkut. Burime të Zyrës së Emergjencave të prefekturës bënë të ditur se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është bllokuar aksi rrugor Përmet-Çarshovë në vendin e quajtur Badlonjë, pasi masive të mëdha dheu dhe gurësh kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në këtë aks. Rrëshqitje të dherave ka pasur edhe në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, përballë fshatit Hormovë, në autostradën e re Gjirokastër-Tepelenë, ku pas ndërhyrjes së mjeteve të Ndërmarrjes së Rrugëve është bërë lëvizja normale në të gjitha rrugët nacionale. Për fat të mirë rrëshqitjet dhe gurët e rrëzuar nuk kanë shkaktuar aksidente, por vetëm bllokime të shpeshta të kësaj rruge. Ndërkaq dalja e lumit Gjanica ka krijuar sërish probleme në qytetin Fierit. Me dhjetëra banesa, lokale, dyqane dhe biznese private janë gdhirë të dielën nën pushtetin e ujit të lumit që kishte dalë nga shtrati. Ashtu si dhe në "tërbimet" e tjera, edhe kësaj radhe Gjanica ka përmbytur edhe tregun industrial, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 280 tregtarë. Banorët e zonës së përmbytur tregojnë se gjatë gjithë natës kanë qëndruar zgjuar, nga frika se lumi vërshonte sërish. Shtabi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Fierit dhe ai në prefekturë është mbledhur mesditën e së dielës për të analizuar situatën. Edhe pse shtabi nuk ka marrë vendim për zhdëmtimin e dhjetëra të prekurve nga përmbytja, ka kërkuar ndërhyrje përfundimtare për shmangien e episodeve të tilla. Bordi i Kullimit në Fier ka mbajtur nën monitorim të plotë prurjet e lumenjve Seman dhe Vjosë, të cilët rrezikojnë përmbytje masive si të katër viteve më parë. Prurjet e Vjosës raportohen se kanë kaluar me disa centimetra kuotën kritike, ndërsa mësohet se oborret e 10 banesave që ndodhen pranë Urës së Mifolit janë përmbytur. Banorët e tyre, por edhe të fshatrave Ferras, Çerven dhe Kashisht janë nën alarm, pasi uji po përparon.

En.Se./Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›