E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, banorët e Gjormit apelojnë për ndërtimin e urës

Palombarët kanë vijuar dje kërkimin e trupit të vajzës së humbur pasditen e së shtunës në ujërat e lumit Shushicë. Operacionet e kërkimit kanë vazhduar dje gjatë gjithë ditës, por pa sukses. Ndërkaq rreth 150 burra të fshatit Gjormë dhe Velçë janë shpërndarë në të dyja anët e lumit Shushicë për gjetjen e trupit të 13-vjeçares Enkelejda Memushi, por pa mundur të gjejnë asnjë shenjë prej saj. Banorët e fshatrave Gjormë dhe Velçë kanë shkuar deri në vendin ku lumi i Shushicës bashkohet me lumin e Vjosës, por deri në orët e vona të së dielës nuk është gjetur trupi i saj. Cuman Shenaj, kryeplaku i fshatit Gjorm, ka thënë dje për "Shqip" se tragjedia ka ndodhur vetëm për shkak të mungesës së një ure lidhëse me brigjet e lumit. "Ky nuk është rasti i parë që ndodhin tragjedi të tilla. Para disa kohësh, nga mungesa e urës, Shushica ka marrë jetën e dy personave të tjerë, njërin 45 vjeç ndërsa tjetri 56 vjeç, të cilët ishin po nga fshati Gjorm. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, kur dy fëmijët e familjes Memushi ktheheshin nga puna në arë. Teksa tentonin të kalonin lumin e Shushicës, të hipur mbi një kalë, motër e vëlla janë rrëmbyer nga ujërat e rrëmbyera të lumit, së bashku me kafshën me të cilën udhëtonin. Djali 15-vjeçar ka mundur të shpëtojë, duke u kapur fort pas rrepeve që ndodheshin në anë të lumit, ndërsa e motra e tij, Enkelejda, brenda pak sekondash është përpirë nga ujërat e rrëmbyera të lumit. Ndërkaq në familjen e Spartak Memushit është hapur morti, ndërkohë që pritet të gjendet trupi i 13-vjeçares.

M. Marsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›