Reshjet e shiut rëndojnë qarkullimin në Tiranë, trafik i dendur në disa akse rrugore

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Reshjet e shiut kanë shkaktuar trafik të rënduar në disa akse rrugore të kryeqytetit, duke krijuar radhë të gjata automjetesh në hyrje të Tiranës dhe në zona të ndryshme të qytetit.
Nga krahu tjetër Policia Rrugore është në terren për të menaxhuar situatën e krijuar dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët të vijojnë qarkullimin.
Një nga segmentet më problematike paraqitet hyrja e Tiranës, në zonën e Kthesës së Kamzës, ku fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë radhë të gjata, të cilat shtrihen edhe në autostradë.
Trafik i rënduar raportohet gjithashtu në Unazën e Madhe, veçanërisht në segmentin nga Astiri drejt Saukut, ku lëvizja e automjeteve vijon me vështirësi.
Problematike paraqitet situata edhe në disa prej akseve kryesore të qytetit, përfshirë zonën e Saukut, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zonën e Urës së Madhe, si dhe kryqëzimin e bulevardit “Zhan D’Ark” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Vështirësi në qarkullim ka edhe në Rrugën e Elbasanit, në Laprakë, në zonën e “Don Boskos” dhe në “Ali Demi”, ku reshjet dhe fluksi i automjeteve kanë ndikuar në lëvizjen e mjeteve.
Situata kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve, të cilët këshillohen të ruajnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
Trafiku në Tiranë 1 nga 2/a.f/r.e/