E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e shiut, shembet murri rrethues i lagjes “Kala”

10/03/2010 Mbërrin në Berat Drejtori i përgjithshëm i Monumenteve, Valter Shtylla: Do rikonstruktohet

BERAT- Mot i keq dhe me reshje të shumta të rëna gjatë ditëve të fundit janë bërë shkak për shembjen e një pjese të murrit rrethues në pjesën perëndimore në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit. Duket se pas lagjes “Mangalem” që për pasojë të rënies të reshjeve të dendura, rrezikohet shkëputja e masiveve të shkëmbinjve dhe masiveve të dherave që ndodhen mbi këtë lagje, tashmë është lagja muze e kalasë ajo që rrezikohet nga i njëjti fenomen, këtë radhë nga rrëshqitja e një pjese të murit rrethues në pjesën perëndimore të saj.

Shembja

Burimet zyrtare të bashkisë të qytetit që bëjnë me dije lajmin thanë për gazetën se mëngjesin e djeshëm punonjësit e Drejtorisë rajonale të Monumenteve të Kulturës në këtë qytet kanë parë se një pjesë e murrit rrethues në pjesën perëndimore të kalasë ishte shembur, ndërsa pjesa tjetër ishte bërë gati që të shembej. Menjëherë në vendin e ngjarjes, në qendër të lagjes “ Kala” kanë mbërritur specialistë të kësaj drejtorie që kanë konstatuar se rreth gjashtë metra linear mur guri shekullor, kishte rënë gjatë natës, shembje e cila është shoqëruar dhe me shkëputjen e rreth gjysmë metri tokë. Banorët e lagjes kanë deklaruar se rënia e murrit mund të ketë ndodhur pas mesnate, ndërkohë që është konstatuar vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas specialistëve, shembja e murrit rrethues në sheshin e lagjes përballë bustit të Konstandinit ka ardhur si pasojë e shirave të shumtë të rënë gjatë këtyre ditëve dhe kryesisht në 48 orët e fundit. Ndonëse më parë nuk ishte parë si rrezikshmëri shembja e këtij murri, specialistët kanë vendosur tabela sinjalizuese për banorët e lagjes, por edhe për vizitorët e huaj dhe të vendit (Turistët), me qëllim që mos të afrohen pranë murrit të shembur. Gurët dhe një masiv dheu kanë përfunduar në faqen me pisha të kalasë, ndërkohë që sipas specialistëve shembja e murit rrethues nuk vë në rrezik vlerat e kësaj lagjeje. Për të inspektuar situatën në vend ka mbërritur dje pranë lagjes “Kala” dhe prefekti i qarkut të Beratit, Konstandin Lefta, sekretari i përgjithshëm Petrit Sina dhe grupi i specialistëve. Ai deklaroi për gazetën se menjëherë sapo është njoftuar nga Drejtuesit e Monumenteve të Kulturës për shembjen e murit inspektoi situatën dhe premtoi mbështetje në investimin që do të realizohet për rindërtimin e murrit rrethues. Po në lagjen “Kala” ka mbërritur nga Tirana edhe Drejtori i përgjithshëm i Monumenteve, Valter Shtylla, i cili ka parë nga afër situatën dhe ka lënë detyrat konkret se si do të veprohet për së shpejti për të riparuar pa vonesë murin rrethues me qellim eliminimin e rrezikut që sjell rënia e tij nga rrëshqitja për banorët e kësaj lagjeje, por dhe të mos bëhet pengesë për vizitat e turistëve të vendit dhe të huaj që thuajse çdo ditë vizitojnë këtë lagje shekullore që daton 400 vjet para Krishtit. Drejtori i Ateliesë të Beratit, Lonik Çuedari, tha për gazetën se sot mbërrin nga Tirana një grup tekniko-inxhinier për të zbatuar detyrat që la drejtori i përgjithshëm Valter Shtylla dhe pas një projekti të mirëfilltë së shpejti do të fillojë puna për riparimin e tij në kohë rekord, në fakt riparimi nga punonjësit tanë ka filluar, por projekti në fjalë është ai që vendos pasi në lagjet muzeale jo vetëm që punohet me projekte të mirëfillta, por projektet zbatohen në detaj”, tha Çuedari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›