Në Shqipëri 36% më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit 2008
23/12/2009 Ministri Xhaferraj paraqet analizën për kulturën e turizmit nga janari deri nëntor 2009
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit zhvilluan dje analizën vjetore të turizmit. Ministri Xhaferraj theksoi edhe një herë rëndësinë e turizmit, si një nga burimet kryesore të ekonomisë shqiptare. “Ia vlen të përmendet se viti 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje prej 36% dhe krahasuar me 2005-n rritja është 2.5 herë. Qeveria shqiptare në programin e saj e ka konsideruar zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion të rëndësishëm mesdhetar pёr vetё larminё e madhe tё atraksioneve natyrore, kulturore, kulinare e mikёpritjen e veçantëё”, - tha ministri Xhaferraj.
Në vazhdim ai risolli në vëmendje hapat pozitivë që janë bërë në këtë drejtim, si krijimi i një kuadri ligjor për turizmin, i cili rregullon marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve private, vendas apo të huaj, që ushtrojnë veprimtari turistike në territorin e Shqipërisë, si një hap mjaft të rëndësishëm për t’i hapur rrugë biznesit.
“Një nga strategjitë në vazhdim, - tha ministri, - është zgjerimi i turizmit nga turizëm tradicional, ku përfshihet ai i diellit dhe rërës, turizmi malor, ekoturizmi etj, në turizëm kulturor dhe pikërisht këtij qëllimi i shërbejnë edhe investimet në fushën e trashëgimisë kulturore si dhe krijimi i një drejtorie të përgjithshme të turizmit dhe trashëgimisë, e cila do të koordinojë më mirë aktivitetin në favor të turizmit, duke rivitalizuar dhe funksionalizuar edhe vetë trashëgiminë tonë të pasur kulturore.
Ministri Xhaferraj tërhoqi edhe një herë vëmendjen drejt një koordinimi më të mirë të aktivitetit të Ministrisë, AKT-së dhe pushtetit vendor, si faktor i rëndësishëm në efikasitetin e turizmit.
Në mbyllje ministri Xhafertaj tha: “Dëshiroj të theksoj edhe një herë se turizmi ka nevojë për përkujdesjen e të gjithëve. Problem mbetet pastërtia e plazheve tona. Le të mbajmë pastër destinacionet tona dhe mjedisin që të shijojmë të gjitha frytet e kësaj industrie gjithnjë në rritje.”
Ndërkohë drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Nada Kallçiu, bëri një prezantim të punës së institucionit që ajo drejton, duke e vënë theksin në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.
1. Pjesëmarrja në panaire
- Panairi i Mynihut, i cili zhvillua më 26 shkurt–3 mars 2009 në Mynih.
- Panairi Ndërkombëtar i Turizmit ITB - Berlin, i cili është zhvilluar më 11-15 mars 2009.
- Panairi i Turizmit në Prishtinë, që u zhvillua nga data 6 deri më 8 maj 2009.
- Panairi i Durrësit, zhvilluar më 19-21 maj 2009. Bashkia e Durrësit zhvilloi për herë të parë panairin e turizmit në Shqipëri.
- Panairi i RDA Coach Tourism, Këln, i cili u zhvillua më 4-6 gusht 2009.
- Panairi WTM 09, Londër. Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, i cili u zhvillua në datat 9-12 nëntor në Londër.
- Panairi “Klik Ekspo Klik”.
2. Botimet promocionale
Gjatë këtij viti është ideuar dhe realizuar seti i ri promocional, i cili përbëhet nga broshura, si: “Guida e vizitorëve”, “Natyra dhe aktivitete”, “Trashëgimia kulturore”, “Itinerare nëpër Shqipëri”, “Harta turistike”, “Fletorja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit”, “Broshura e kulinarisë”, “Thethi dhe Kelmendi” etj.
3. AKT ka ndërmarrë fushata promocionale për sezonin turistik veror si dhe fushata promocionale për festat e fundvitit.
4. Spotet televizive të transmetuar në rrjete televizive kombëtare, ndërkombëtare dhe rajonale.