Reshjet në verilindje dhe juglindje të vendit shkaktojnë probleme
Reshjet e dëborës të rëna gjatë 24 orëve të fundit po krijojnë vështirësi në juglindje dhe veri lindje të vendit.
Në rrethin e Korcës, probleme kryesisht po hasen në aksin që lidh qytetin me pikën Kufitare të Kapshticës dhe Qafën e Qarrit.
Në këto dy akse probleme hasin mjetet të cilët duhet të lëvizin me zinxhirë.
Ndërkaq në Korçë, probleme po hasin edhe banorët e disa komunave të cilat janë bllokuar nga dëbora. Kështu rrugët drejt Voskopojës, Dardhës, Lekasit dhe Vithkuqit janë të bllokuara.
Trashësia e dëborës, arrin mbi 15 centimetra, ndërsa në zona të veçanta dhe qafa malesh deri në 50 cm. Qafa e Thanës është e kalueshme.
Ndërkaq, reshje dëbore hasen edhe në qarkun e Dibrës. Reshje dëbore gjatë natës u shënuan në qytetin e Peshkopisë, Burrelit dhe Bulqizës.
Akset Peshkopi- Bulqizë, dhe Peshkopi- Kukës, janë të kalueshëm, por kërkohet vendosja e zinxhirëve.
Ndërkaq, në qarkun e Dibrës rezultojnë disa komuna të bllokuara.
Probleme ka në komunat Kalaja e Dodës, Ostren, Krastë, Zerqan, Selishtë dhe Xibër.
Rrugët drejt komunave janë të bllokuara. Situatë e vështirë po hasen edhe në Malësinë e Dukagjinit në Qarkun e Shkodrës.
Aksi Boge- Vermosh dhe Qafa ë e Bërdolecit rezultojnë të bllokuara.
Në disa zona në Malësinë e Dukagjinit trashësia e dëborës arrin në mbi 1 metër.
Aksi Pukë- Qafë Mali është i kalueshëm me zinxhirë.
Gazetarët e "Ora News" në rrethe raportojnë se rrugët nacionale janë të gjitha të kalueshme.