Tiranë, inagurohet impanti për trajtimin e ujërave të zeza
TIRANE- Inagurohet në fshatin SOS, impianti i parë demonstrativ dhe shkencor në Shqipëri për trajtimin e ujit të ndotur. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ministri i Mjedisit Mediu, ambasadori gjerman në Tiranë Boshard etj. Olldashi gjatë fjalës së tij vlerësoi ndërtimin e impiantit ndërsa pranoi se ky sektor është ende i prapambetur. Olldashi tha se pesë vite më parë në këtë sektor nuk ishte bërë asnjë investim ndërsa aktualisht sipas tij janë ndërtuar dhe projektuar dhjetra vepra për trajtimin e ujërave. Ndërsa ambasadori Boshard tha se që prej vitit 1988 Gjermania ka investuar në Shqipëri një shumë prej 900 milion euro në forma të ndryshme. Me këtë shumë Gjermania vihet në krye të listës së shteteve që kanë ndihmuar më shumë Shqipërinë. Në fund të 2008-ës, Gjermania vendosi të dyfishojë ndihmën e saj për Shqipërinë duke arritur në 90 milion euro në 2-vjet. Impianti për trajtimin e ujit të ndotur me vlerë rreth 70 mijë euro është investim i qeverisë gjermane dhe ka për qëllim të promovojë aplikimin e metodave moderne të trajtimit të ujit të ndotur urban në Shqipëri, nëpërmjet teknologjisë së kombinuar të shtretërve me filtër, të mbjellë me bimë të familjes së makrofiteve, respektivisht me ushqim vertikal dhe horizontal, për të siguruar në dalje të impiantit, cilësi të ujit në përputhje me standardet kombëtare e ndërkombëtare të trajtimit.(m.a/News24/BalkanWeb)