Reshjet, qeveria do të kompesojë të gjitha dëmet e shkaktuara

Kryeministri Berisha vizitoi zonat e rrezikuara nga përmbytjet në Shkodër e Lezhë dhe siguroi banorët e evakuuar për mbulimin e kostove të ushqimit dhe strehimit deri në kapërcimin e gjendjes së jashtëzakonshme në qarkun Lezhë dhe Shkodër Menjëherë pas kapërcimit nga shtrati të furisë së egër të ujërave të kaskadës së Drinit, kryeministri Sali Berisha u gjend pranë banorëve të qarkut Lezhë dhe Shkodër, për të vrojtuar nga afër situatën e krijuar. Nga Lezha dhe Shkodra, kryeministri Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi menjëherë evakuimin e banorëve prej aty, duke garantua çdo lloj mbështetje dhe mbulimin e kostove të strehimit larg zonës së përmbytur. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha dhe ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, vizitoi digën dhe hidrocentralin e Vaut të Dejës, si dhe Shtabin e Komandimit të Makinerive.Më pas Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave. Kryeministri Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi evakuim të menjëhershëm për banorëve të këtyre zonave. Kryeministri Berisha kërkoi zbatimin me përpikmëri të urdhrave dhe kërkesave të ekspertëve të digave dhe hidrocentraleve.Fjala e Kryeministrit Berisha:Së pari, dua t’u përcjellë qytetarëve të Shkodrës urimin tim më të përzemërt për Vitin e Ri. Ju uroj një vit me gëzime, me suksese, me mbarësi në çdo vatër dhe për çdo qytetar të këtij qarku.Së dyti, unë dua t’ju përgëzoj ju, të përgëzoj Shtabin e Emergjencave Civile, ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Mbrojtjes, sepse gjatë gjithë këtyre ditëve keni qenë në lartësinë e detyrës, pasi për ditë me radhë një kërcënim serioz ekziston nga reshjet, por në veçanti edhe nga kaskada e Drinit, prurjet e të cilit, sidomos në Koman, kanë qenë të përmasave shumë të mëdha. Theksova në Koman, sepse liqeni i tij është një liqen modest. Tani që po flasim ai po rritet me 8 centimetra në orë. Ai është liqen i ngushtë.Ju dhe ministritë keni qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre ditëve me komunën e Dajçit, me Obotin, me Anën e Malit dhe me të gjithë zonën e kërcënuar nga përmbytja. është bërë përpjekje maksimale për të shmangur sa të jetë e mundur një përmbytje më të gjerë, por erdha këtu sepse jemi përpara një momenti kritik, moment në të cilin ne do të detyrohemi të bëjmë shkarkime të mëdha nga të tre liqenet: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës.Parashikim sinoptik është shumë i pafavorshëm, parashikohen së paku dhjetë ditë rrebeshe, shira, të cilat në zonat e Alpeve dhe në basenin e Drinit sjellin prurje të pallogaritshme. Në këtë kontekst dy zonat e kërcënuara të qarkut tuaj Ana e Mali dhe Dajçi, Guri i Zi, duhet të evakuohen me çdo kusht dhe sa më shpejtë, sepse ne do të detyrohemi që në një kohë fare të shkurtër, të hapim tunelet e shkarkimit për shkarkime të mëdha. Banorët do të sistemohen në kushtet më të mira të mundshme.Zoti Prefekt, gjendja e jashtëzakonshme nënkupton marrjen në dispozicion të gjitha aseteve dhe mjeteve të domosdoshme për përballimin e saj. Qeveria do të paguajë në qoftë se do të marrim hotelet për akomodimin e banorëve. Pra, do të merren të gjitha hotelet dhe në rast se ato nuk mjaftojnë do të përdoren konviktet. Ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Brendshme do të bëj disponibël sa më shpejtë dy konvaleshenca. Nuk kemi pse t’i fusim njerëzit në stadiume. Kemi transport, kemi autobuza, kemi mjete dhe i vendosim banorët në kushte optimale, në konvikte, hotele dhe konvaleshenca. Ne kemi kapacitete të mëdha për t’i sistemuar”....