Shiu "than" dy qytete për ujë
Reshjet e shumta kanë krijuar probleme me furnizimin dhe cilësinë e ujit të pijshëm në Berat dhe në Vlorë. Kështu, ditët e fundit në çezmat e beratasve, uji ka qenë tejet i ndotur. Burime pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në këtë qytet bëjnë me dije se nga analizat që i janë bërë ujit të pijshëm katër ditët e fundit, ka rezultuar fizikisht i ndotur. Për të shmangur problemet, kjo drejtori ka njoftuar nëpërmjet medias lokale që të mos përdoret uji i çezmave deri në pastrimin e tij. Ndërkohë, specialistët sqarojnë se shkak për krijimin e kësaj situate janë bërë reshjet e ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar probleme në vendburimin e Bogovës, në shpatin e malit Tomor. Ndërkohë në Selenicë, dalja e Vjosës nga shtrati ka lënë pa ujë të pijshëm prej disa ditësh qytetin. Pompat e ujësjellësit që çojnë ujë në këtë qytet me 6 mijë banorë, janë përmbytur. Situata parashikohet të vazhdojë e tillë dhe për 20 ditë të tjera, pasi pritet të pakësohen prurjet e Vjosës dhe pastaj të ndërhyhet.
m.h./m.m.
m.h./m.m.