E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokime në Mallakastër dhe Kukës

Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit kanë krijuar probleme në disa nga akset kryesore të vendit. Kështu, mëngjesin e djeshëm, rruga kombëtare Ballsh-Tepelenë është bllokuar për gati dy orë. Bllokimi ka ndodhur paraditen e së martës, në afërsi të qafës e Kashit, për shkak të rrëshqitjes së një masivi dherash. Fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes së masivit të dheut nuk ka pasur asnjë automjet në rrugë. Kanë qenë drejtuesit e automjeteve që udhëtonin drejt jugut të vendit dhe anasjelltas ata që kanë njoftuar policinë lokale, ndërkohë që kjo e fundit jo vetëm që është angazhuar, por ka kërkuar ndihmën e autoriteteve të tjera. Situata ka qenë problematike edhe në veri të vendit. Rruga Kukës-Krumë është vështirësish e kalueshme, veçanërisht në segmentin ku po punohet për zgjerimin e trasesë. Sipas burimeve nga terreni, mësohet se rrugët që çojnë në Komunën e Arrnit, Zapodit dhe në disa fshatra të largët të Bushtricës, janë të pakalueshme për shkak të shkarjes së dherave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›