Reshjet shkaktojnë probleme edhe në fshatin Humelicë.

Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme edhe në fshatin Humelicë të njësisë administrative Cepo. Shirat kanë përmbytur tokat bujqësore ndërsa ka patur edhe shkëputje të herëpashershme të energjisë elektrike. Banorët thonë se këto ditë, e kanë patur të vështirë pasi uji ka vërshuar edhe nëpër oborret e shtëpive ndërkohë që edhe mungesa e energjisë elektrike ka shkaktuar probleme.
“Janë përmbytur tokat poshtë fshatit nga shirat dhe ka patur edhe probleme të tjerë. Mungesa e rrymës elektrike n’a ka vështirësuar këto ditë pasi pa drita nuk jetohet”, shprehet një i moshuar.
“Në fshatin tonë ka patur herëpashere shkëputje të energjisë elektrike dhe sigurisht që ky problem është shumë i madh ndërkohë që ne jetojmë vetëm ngaqë fëmijët nuk i kemi këtu. E të gjitha këto, bëjnë që gjendja jonë të rëndohet”, shprehet po një i moshuar.
Moti i keq i këtyre ditëve, shkaktoj probleme edhe në mjaft fshatra të tjerë, në gjithë qarkun e Gjirokastrës duke shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të rrymës elektrike.