E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy parti dorëzojnë listat për deputetë në KQZ, PS dhe PD presin minutat e fundit

Edhe pse afati i fundit i dorëzimit të listës së kandidatëve për deputet nga partitë politik skadon në orën 16.00 të ditës së sotme, pasditen e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur emrat e parë të kandidatëve, të cilët do të garojnë në 12 qarqet e vendit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ka qenë pikërisht Partia Demokracia Sociale, ajo e cila ka depozituar e para emrat e kandidatëve të saj për deputet, mes të cilëve kryetari Paskal Milo figuron të kandidojë në qarkun e Vlorës, së bashku me Sazan Alikon. Ndërsa emri i parë në listë për qytetin e Tiranës, është sekretari politik i kësaj partie, Artur Duçkallari. Në listë do jenë edhe Xh. Kacani e L. Ruci. Në Fier lista kryesohet nga Leonard Strati, në Korçë kandidon S. Xuhana, në Durrës Fadil Hoxha dhe në Lezhë P. Kalemi. Gjithashtu, një ditë para se të mbaronte afati për dorëzimin e listës së kandidatëve në KQZ, edhe partia Lidhja Demokristiane, kryetari i së cilës, Nikollë Lesi do të kandidojë në qarkun e Lezhës ka paraqitur listën e kandidatëve të saj. Edhe dy partitë e tjera, Aleanca Kombëtare si dhe Partia e Gjelbër kanë respektuar gjithashtu ligjin duke depozituar emrat e kandidatëve. Ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve zgjedhore, që do të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit përfundon pasditen e sotme. Kodi Zgjedhor (neni 67, pika 2), përcakton se "partia politike, që është pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve". Ndërkohë që data 15 maj shënoi dhe regjistrimin e 33 partive të shpërndara në 4 koalicione zgjedhore. "Aleanca e ndryshimit" është grupimi më i madh i forcave të djathta, krahas "Polit të Lirisë", ndërsa e majta përfaqësohet në zgjedhje me koalicionin "Bashkimi për ndryshim" dhe "Aleanca Socialiste për Integrim". Në këto zgjedhje, Qarku i Tiranës pritet të nxjerrë 32 deputetë, ai i Fierit 16 deputetë, Qarku i Elbasanit 14, duke u ndjekur më pas nga Qarku u Durrësit me 13 deputetë, ai i Korçës dhe Vlorës 12 deputetë, Shkodra me 11, Berati do të nxjerrë 8 deputetë, Lezha 7, Dibra 6 dhe së fundmi Gjirokastra 5 dhe Kukësi 4 deputetë.
Lista e djathtë
Ditën e sotme pritet që dy partitë më të mëdha në vend të dorëzojnë në minutat e fundit pranë KQZ listat e kandidatëve të tyre për deputet. Kështu si selia rozë dhe ajo blu mësohet se emrat për kandidatë për deputet do ti bëjnë zyrtar vetëm pak minuta nga skadimi i afatit për të mos i dhënë kohë askujt të kandidojë për ndonjë subjekt tjetër zgjedhor. Në listat e Edi Ramës për deputetë do të jenë të inkorporuar emra pa asnjë lloj eksperience në PS apo në jetën publike. Nga burime brenda socialistëve mësohet se jashtë listave do të jetë lideri i socialistëve Fatos Nano, si dhe emra të njohur si Bashkim Fino, Luan Hajdaraga, Besnik Dervishi, Andis Harasani, Marko Bello, Servet Pëllumbi, Anastas Angjeli, Ethem Ruka, Ylli Bufi, Elmaz Sherifi, Vangjel Tavo, Pilo Kerri, dhe Luan Memushi dhe shumë të tjerë, të cilët ose nuk do të jenë në lista, ose do të jenë në pozicionet humbëse në renditjen e listave. Ndërsa nga kampi i djathtë, megjithëse asgjë nuk është zyrtare, besohet se gjysma e grupit aktual të demokratëve do ta ketë thuajse të pamundur rinovimin e mandatit të deputetit. Arsyet për secilin mund të jenë të ndryshme, që nga qëndrimet kritike për linjën zyrtare të partisë ose qeverisë, si në rastin e zotit Biberaj, i cili së fundmi refuzoi edhe firmën për ngritjen e komisionit hetimor kundër Edi Ramës, por edhe klasifikimi i tij si më pranë presidentit. Në këtë klasifikim hyjnë edhe emra të tjerë, si Sali Shehu, Sami Gjergji, por edhe mbështetësit e tij sporadike, si Bujar Leskaj apo Pal Dajçi. Në listën e shumë të rrezikuarve janë emrat e deputetëve të heshtur, si Safet Sula apo emblematiku Idriz Xhumara, i cili megjithëse është nga deputetët më të mbështetur në vitin 2005, pas katër vjetësh do të mbahet mend për gjëra të tjera. Të pasigurt për lista janë edhe deputetët, të cilët nuk arritën të zgjidhen në zgjedhjet e brendshme të partisë, si Aurel Bylykbashi, pasi nga drejtues të selisë blu kjo konsiderohet si një test i parë dhe i rëndësishëm për zgjedhjen e kandidatëve. Dy emra e kanë të sigurt që nuk do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë. Besnik Mustafaj me largimin vullnetar nga politika një ditë më parë, shpëtoi kryetarin e PD-së nga një vendim i sikletshëm për të lënë jashtë listës ish-mikun dhe bashkëpunëtorin e tij tropojan, me të cilin kishin ndarë kohëra të vështira. I përjashtuari ekselent i listës është Ylli Pango. Kryeministri Berisha jo më larg se të premten deklaroi se nuk ishte aspak i penduar për shkarkimin e ish-ministrit të tij të Kulturës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›