E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurimet në Gjirokastër, 43 milionë lekë për 2009-n

21/01/2009  Valter Shtylla

E pranon se trajtimi i vlerave të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër është një problem me vështirësi. Problemi rritet edhe më nga investimet minimale të bëra në këtë qytet, por kjo “pikë”, sipas drejtorit të ri të Institutit të Monumenteve të Kulturës Valter Shtylla, po përpiqet të korrigjohet. Ai ka dalë dje në një konferencë për shtyp në mjediset e Ministrisë së Kulturës i shoqëruar nga drejtori i trashëgimisë kulturore në MTKRS-së Olsi Lafe dhe ka preferuar të flasë më tepër për restaurimet e bëra sesa për ato që “nuk shkojnë” te monumentet.

Ndërsa kanë treguar foto të monumenteve të restauruara në qytetin-muze (në një sallë të MTKRS-së, ku pavarësisht se ndërtimet e reja kanë rreth një vit që janë bërë, lagështia ka filluar të zerë vend e të lërë shenja në qoshet e tavanit dhe mureve të institucionit), janë shfaqur tepër entuziastë për të ardhmen.

“Një nga problemet kryesore që ne vazhdojmë të trashëgojmë është se pas viteve ’90 në qytetin e Gjirokastrës investimet kanë qenë minimale, një gjendje që ne po mundohemi ta vëmë në vend. Pas vitit 2000 nuk ka pasur investime kapitale, por investime minimale që kanë trashëguar këtë situatë”, - u shpreh Shtylla, ndërsa shtoi se qyteti i Gjirokastrës ka probleme të mëdha lidhur edhe me pronësinë e banesave. “Ky është një fakt shumë i prekshëm e shumë i vështirë, për arsye se aty banesat kanë vlera monumentale, janë si fortesa në vetvete, me vlera të mëdha dhe kanë bashkëpronarë. Është e vështirë të ndërhyhet në të tilla objekte. Megjithatë, me gjithë këto probleme që na kanë shqetësuar, duhet theksuar se pas vitit 2005 është ndërhyrë në front në qytetin-muze.”

Një fenomen mjaft i prekshëm sipas kreut të monumenteve është se në Gjirokastër dhe në Berat është ndërhyrë në mënyrë komplekse, “sepse këto qytete kanë një ndikim direkt në turizëm”. “Një fenomen shumë interesant dhe i rëndësishëm gjatë vitit 2007-2008 është edhe rritja e intensitetit të turizmit kulturor. Është një fakt i pamohueshëm se gjatë këtyre viteve është dyfishuar numri i turistëve. Në qytete kufitare siç është Gjirokastra, ne, por edhe organizmat ndërkombëtarë si UNESCO-ja, do të stimulojmë turizmin ndërkufitar dhe turizmin tranzitor.”

Shtylla thekon se pas vitit 2005 Gjirokastra u shpall pasuri kultuore botërore dhe sipas tij është sensibilizuar në mënyrë të ndjeshme opinioni ndërkombëtar, por edhe ai vendas, se posedojnë dhe kanë në duart e tyre një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme. Ai vëren se nga analizat që po bëhen në terren “është ulur numri i abuzimeve e shkeljeve ligjore”.

Sipas Shtyllës, një ndihmë në këtë drejtim ka edhe nga organizatat ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë fondet e tyre.

Milionat dhe ndërhyrjet

Janë tetë banesa, objekte të rrezikshmërisë së lartë, për të cilat janë akorduar 43 milionë lekë nga shteti, që do të restaurohen gjatë këtij viti në Gjirokastër.

Një pjesë e këtyre banesave janë vërtet të rrënuara, por sipas drejtorit Shtylla nuk ka banesa kaq të rrënuara sa të humbasin statusin. “Edhe nëse këto banesa dëmtohen, kanë të dëmtuar vetëm pjesën e sipërme. Në rastin kur është dëmtuar kati i tretë, po themi, atëherë ne e rikonstruktojmë dhe ato mund të kompozohen.” Shtylla rrëfen se këtij fondi prej 43 milionë i shtohen edhe disa milionë të tjera për ndërhyrje masive në pazarin e Korçës, të trashëguara nga viti i kaluar. Shumë shpejt ai shpjegon se do të firmoset edhe një kontratë me fondacionin suedez "Pasuri pa kufij", me një vlerë prej 500 mijë euro për vitet 2009-2011. “Në këtë fond përfshihet edhe një objekt i kategorisë së parë, siç është ndërtesa e Babametos në qendër të Gjirokastrës. Pra, në kompleks, duke parë fondin e shtetit, atë të UNESCO-s e të fondacionit suedez, vëmë re se ky fond zgjerohet me shumë miliona më tepër, që do të shoqërojnë gjithë këto ndërhyrje.” Berati sipas tij këtë vit do të ketë ndërhyrje masive, komplekse: në lagjen “Mangalem”, “Goricë” e në lagjen “Kala”. Buxheti për Beratin, sipas Valter Shtyllës, shkon deri në 70 milionë lekë.

Restaurimet për Buxhetin e Shtetit në të gjithë territorin e Shqipërisë shkojnë në 170 milionë lekë, pa përfshirë këtu asnjë lloj donacioni tjetër apo kontratë.

Trajtimet për infrastrukturën...

Kreu i Institutit të Monumenteve shpjegon se është në proces kryerja e një reforme në strukturën e trashëgimisë kulturore e për këtë po bëhen bisedime me Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. “Kjo reformë ka të bëjë me krijimin e brigadave të mirëmbajtjes në të gjithë territorin shqiptar. Në këtë kuadër, Gjirokastra është mjaft e pasur me monumente kulture, që i kanë të nevojshme këto brigada. Ne mendojmë që këto objekte të trajtohen me këtë reformë që do të operojë gjatë gjithë vitit.” Shtylla thotë se tre ekspertë të komisionit evropian janë për vizitë në Lezhë e Shkodër dhe do të vazhdojnë me vizita në Elbasan, Korçë e Berat për të vijuar më pas me hartimin e projekteve përkatëse të dokumenteve teknikë për këto qendra historike. Një tjetër pikë që do të vazhdojë edhe këtë vit është edhe infrastruktura. “Sivjet është hyrë në tratativa dhe ka marrë një zgjidhje edhe trajtimi i rrugëve që të çojnë drejt monumenteve të kulturës. Gjatë vitit 2009 ne mendojmë se do të përfundojë rruga që të çon në kalanë e Drishtit, ajo që të çon në qendrën antike të Antigonesë në Dropull dhe ajo që të çon në Finiq.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›