E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohen 660 monedha nga Antigonea

Do të vendosen në Muzeun Arkeologjik

Një tjetër koleksion monedhash i shpëton shkatërrimit. Gërmimet arkeologjike prej 40 vjetësh, sidomos nga arkeologu Dhimosten Budina kanë zbuluar ndër të tjera një koleksion të madh monedhash në Antigone. Monedhat cilësohen si një gjetje kryesore, për shkak se tregojnë datimin e sitit, zbulojnë lidhjet tregtare dhe tregojnë në thelb zhvillimin. Monedhat e zbuluara kanë pasur probleme në ruajtjen dhe studimin e tyre, kjo e shkaktuar nga qëndrimi në tokë për më shumë se 2100 vjet dhe jo të gjitha ishin të lexueshme. Këto 660 copë që ruheshin në kabinetin numizmatik të Institutit të Arkeologjisë iu nënshtruan restaurimit gjatë vitit 2009. Monedhat e gjetura në Antigone bëjnë pjesë kryesisht në ato të Koinonit të Epirit, të prera rreth viteve 234-168 p.e.s. Ato klasifikohen në 4 tipe sipas studimeve arkeologjike: ato që kanë figurën e Artemisës, të tipit Zeus-rrufe, ato me kryet e Zeusit dhe Dionës, ato të tipit Dion-trikëmbësh”. Gjatë vitit 2009 në laborator janë kryer një sërë ndërhyrjesh në objekte shumë të rëndësishme të zbuluara nga ekspeditat dhe shumë ndërhyrje janë bërë me vështirësi për shkak të specialistëve. Ndaj, edhe me sa urgjencë duhet të bëhet ndërhyrja në këto objekte që kanë nevojë për restaurim, me po aq urgjencë duhet të rritet edhe numri i specialistëve të kimisë në laborator, pasi ndryshe nuk mund të shpëtohen shumë prej këtyre objekteve”, shprehet Frederik Stamati, shef i Laboratorit të Restaurimit dhe Arkeometrisë. Pas restaurimit, monedhat do të shkojnë në Muzeun Arkeologjik.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›