Seldi dhe Pamela, çifti i parë i BB3
Kanë menduar që t’u bëjnë lojë banorëve të tjerë, duke u shtirur sikur janë çift. Seldi ka bindur Pamelën që të sillen sikur janë lidhur për të parë reagimet e banorëve të tjerë të shtëpisë. Kureshtja e të tjerëve është ndier menjëherë. Të gjithë e kanë vënë re këtë ndryshim në sjelljen e dy të rinjve
Ndoshta do të lindë edhe ndonjë çift brenda shtëpisë së “Big Brother”. Ky ka qenë një nga mendimet e përgjithshme te banorët gjatë një diskutimi me njëri-tjetrin. Më pas ata kanë folur dhe kanë biseduar mbi tema të ndryshme, një nga të cilat ka qenë edhe reagimet e shqiptarëve të Kosovës ndaj serbëve. Në këtë kuadër është prekur edhe tema e procesit të futjes së Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian. Ndërkaq nuk kanë munguar as lojërat brenda shtëpisë, siç ishte transformimi i Bertinës në mësuesen e shtëpisë.
Seksi
Banorët flasin për një temë aq të debatuar siç është seksi. Sipas Gjimit, me të cilin edhe Domenika ndan të njëjtin mendim, në Shqipëri seksi dhe të folurit për të është tabu. Këtë e kundërshton Erioni, sepse, sipas tij, kjo nuk është e vërtetë. Ai thotë se edhe këtu si kudo tjetër të gjithë flasin për seksin. Pas kësaj banorët diskutojnë për nuset dhe vjehrrat. Biseda e tyre vazhdon në diskutimin se si duhet të sillet nusja me njerëzit e burrit dhe kush mund të quhet nuse e mirë.
Djemtë thurin intriga
Djemtë dalin jashtë dhe flasin për sjelljen e tyre brenda shtëpisë. Erioni shprehet se ai kërkon që të bjerë në sy në mënyrë që të rifitojë vendin e tij të punës në televizion. Gjimi i thotë se këtu nuk mund të bëhet lojë, duhet të jesh i njëjtë si jashtë ashtu edhe brenda shtëpisë. Përveç faktit që djemtë flasin për sjelljen e tyre, ata diskutojnë hapur edhe për nominimet. Diskutojnë për grupet që janë krijuar brenda shtëpisë dhe mundësinë se kë duhet të nominojnë ose nga kush do të nominohen. Në këtë pikë ata flasin kryesisht për vajzat, për të mirat dhe të këqijat e tyre dhe bëjnë llogaritë se si mund të jenë eliminimet. Jetmiri vlerëson Gracielën dhe lojën e saj, ndërkohë që diskutojnë për sjelljen e Pamelës. Sipas tyre, disa nga vajzat nuk po kuptohen nëse po luajnë apo jo. Kjo gjë atyre nuk u pëlqen. Por edhe sjellja e Seldit komentohet nga djemtë. Madje pjesë e diskutimit ka qenë edhe mundësia e lindjes së ndonjë çifti brenda në shtëpi.
Pamela dhe Seldi
Pamela flet me Seldin për sjelljen e Erionit dhe Jetmirit kundrejt saj. Biseda nis nga një pyetje që i bën Seldi në lidhje me marrëdhënien Erjon–Bertina. Ai i thotë: “Po ky Erioni pëlqen mizën”, ndërsa vajza i thotë se ajo nuk e di këtë gjë. Në këtë moment Seldi i thotë se çfarë do të bënte ajo me Erionin. Pamelës, siç thotë dhe ajo vetë, do t’i pëlqente që ta kishte vetëm shok Erionin. Kështu ajo i tregon Seldit se Erioni dhe Jetmiri sillen shumë mirë me të. Mirëpo Seldi vazhdon ta pyesë vajzën se si do të vepronte ajo nëse fjalët e dy djemve do të pasoheshin nga një veprim krejt i kundërt me atë çka ata i kishin thënë Pamit. Në rast se ajo do të haste në një veprim të tillë thjesht nuk do ta vriste shumë mendjen. Nëse ndonjëri nga djemtë nuk do t’i fliste më, do t’i kthehej në të njëjtën mënyrë. Biseda ndërmjet tyre vazhdon me diskutime rreth sjelljes së Pamelës. Ajo i rrëfen Seldit se është një natyrë e ndjeshme dhe në këtë moment ai e ngacmon vajzën në lidhje me ndjenjat e saj kundrejt Erionit. Seldi i thotë se ai e ka kuptuar më parë se ajo e pëlqen Erionin, por këtë gjë ajo vetë nuk e ka kuptuar akoma. Pamela i thotë se nuk e di se çfarë ndien dhe ndoshta këtë do ta kuptojë kur mes saj dhe Erionit të mos ketë më barriera, por asaj do t’i pëlqente që mes tyre të kishte një miqësi të mirë. Ndër të tjera ajo thekson se do të bëjë lojë dhe nuk do të reagojë në shumë raste, të cilat nëse do të ishte jashtë ndoshta do të irritohej.
Urrejtja ndaj serbëve
Djemtë jashtë diskutojnë për Kosovën dhe sjelljen e shqiptarëve ndaj serbëve. Hakiu tregon një histori të tijën se si fëmijët në Kosovë flasin me urrejtje ndaj serbëve edhe pse kur ka ndodhur lufta Kosovë-Serbi fëmijët nuk mund t’i kuptonin shkaqet e luftës. Ndërsa Gjimi thotë se fakti që fëmijët kosovarë urrejnë serbët është se ata edukohen në mënyrë të tillë. Këtë gjë e miraton edhe Hakiu, i cili shprehet se për të shmangur këtë, ose për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy popujve në të ardhmen, fëmijët nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ai thotë se edhe librat në shkollë duhen ndryshuar, ose fëmijëve nuk i duhet folur me një frymë aq të madhe urrejtjeje, sepse ata nuk mund t’i kuptojnë disa gjëra. Kjo duhet të shmanget pasi, sipas tij, urrejtja sjell si produkt krimin. Edhe Erioni është i mendimit se nuk mund t’i rritësh fëmijët me një ndjenjë të tillë, pasi ata kanë jetën e tyre. “Nuk është normale që brezi i ri të rritet në këtë mënyrë sot”, thotë ai. Edhe të tjerët ndajnë të njëjtin mendim. Pas kësaj ata filluan të diskutojnë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën në BE.
Seldi dhe Pamela bëjnë lojë
Kanë menduar që t’u bëjnë lojë banorëve të tjerë, duke u shtirur sikur janë të lidhur. Ka qenë ideja e Seldit, por Pamela nuk ka qenë shumë e vendosur për ta pranuar. Seldi ka arritur ta bindë Pamelën me argumentet e tij dhe tani ata po sillen si të lidhur për të parë reagimet e banorëve të tjerë të shtëpisë. Pasojat janë dukur menjëherë. Të gjithë e kanë vënë re këtë ndryshim në sjelljen e dy të rinjve.
Flasin për BB1 dhe BB2
Erioni po bisedon me Gjimin. Ata po flasin për dy edicionet e para të “Big Brother Albania”. Erioni e pyet Gjimin nëse i ka ndjekur programet e mëparshme dhe Gjimi thotë që i ka parë gjatë gjithë kohës. Rrija në shtëpi dhe shikoja vetëm ato. Po ashtu dhe Erioni thotë që i ka ndjekur të dyja programet, por në veçanti të parin. Ata përmendin dhe “kolegët e tyre në lojë”.
Djemtë ngacmojnë Gjimin
Mesa duket djemtë po përtojnë të ngrihen nga krevatet dhe po u shijon biseda atje. Hakiu, ose si i thonë banorët Kika, dhe Erjoni e ngacmojnë Gjimin me fjalë. Ata i thonë që ti duhet të kesh qenë agjent i fshehtë në Norvegji, se për çfarë arsye tjetër do kesh vajtur? Ata vazhdojnë duke i thënë që vetëm një agjent mund të dijë kaq shumë gjuhë të huaja. Gjimi u përgjigjet me shaka, duke i lënë të hamendësojnë më tepër.
Seldi imiton Eduardin
Të gjithë banorët po flasin për Eduardin, i cili ka gërhitur gjatë gjithë natës së mëparshme dhe ndërkohë që një pjesë e tyre janë në tavolinën e ngrënies, Seldi i flet për këtë gjë dhe imiton veprimet e Edit. Ndërsa Graciela është në dhomë me pjesën tjetër të banorëve dhe po flet për të njëjtën gjë.
Mozaik temash
Djemtë kanë menduar që duhet të ulen e të bisedojnë, pasi ata thonë që nuk kanë diskutuar fare. “Në këtë mënyrë do të njihemi me njëri-tjetrin dhe do të na njohin dhe të tjerët jashtë që na ndjekin”, thonë ata. Banorët janë ulur në kuzhinë dhe kanë biseduar për çështje të ndryshme politiko-sociale. Si për shembull politika në Kosovë, monedha zyrtare si ka qenë dhe si është, kush ishte më e mira për t’u përdorur, më pas kanë kaluar debatin për Serbinë e shumë tema të tjera. Ata kanë ndërtuar një mozaik të madh me tema të ndryshme.
Bertina mësuese
Bertina ka marrë përsipër të bëjë mësuesen e shtëpisë. Të gjithë banorët janë ulur në kolltukë, ndërsa Bertina qëndron në këmbë dhe bën sikur janë në një orë mësimi. Ajo u bën pyetje mbi fizikën dhe matematikën, por asnjëri nuk përgjigjet, vetëm sa e ngacmojnë me fjalë “mësuesen” e tyre.
#