E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Procesi i aplikimit, brenda ritmeve të duhura

Kryetari i minibashkisë numër 10 Gerti Bogdani, i cili është njëkohësisht dhe kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës në një prononcim të dhënë për gazetën SOT, theksoi se procesi i aplikimeve nga ana e qytetarëve të kësaj minibashkie për letërnjoftimet elektronike ka arritur mbi 14000. Numri i personave që kanë aplikuar për letër njoftimet elektronike deri tani ka kaluar shifrën e 14000 aplikimeve të bëra. Ne nuk kemi një informacion shumë të saktë për këtë sepse kjo është një çështje që i përket Ministrisë së Mbrojtjes, u shpreh Bogdani. Ndër të tjera ai theksoi se deri tani nuk ka patur asnjë lloj problemi në këtë njësi bashkiake dhe çdo gjë ka funksionuar më së miri, dhe shtoi se pajisja me letërnjoftime e të gjithë votuesve të kësaj zone do të përfundojë brenda afatit të caktuar. Gjithashtu Bogdani foli dhe për zhvillimin e fushatës së PD në këtë zonë, ku theksoi se deri tani ishte mjaft entuziast për ecurinë e kësaj fushate. Bogdanit ju caktua kjo zonë e kryeqytetit për të organizuar fushatën mbas mbledhje së 32 kandidatëve të qarkut të Tiranës. Sipas tij çdo gjë po funksionon më së miri, takimet elektorale me banorët dhe me familjet e mëdha të kësaj zone kanë nxjerrë në pah kënaqësinë e tyre për partinë në pushtet. Ai tha se Partia Demokratike ka gjetur mbështetjen e plotë të këtyre banorëve, por dhe të gjithë shqiptarëve. Puna që ka bërë Partia Demokratike në përgjithësi ka qenë puna më e mirë e bërë ndonjëherë nga ndonjë qeveri, gjatë këtyre 18 vjetëve pluralizëm, dhe puna që kam bërë unë në veçanti për këtë zonë ka qenë një punë e mirë dhe jam munduar që ti mbaj të gjitha premtimet e bëra para se të fitoja zgjedhjet për këtë njësi bashkiake, nënvizoi Bogdani. Sipas tij entuziazmi në Partinë Demokratike por edhe në popull është i madh, sepse populli e ka kuptuar se kush është PD dhe kush është PS. Ne jemi forca politike e ëndrrave të bëra realitet. Ne jemi forca politike e punës dhe e vullnetit të madh politik për ta ndryshuar edhe më shumë Shqipërinë, dhe për ta bërë atë dhe gjithë shqiptarët që të ndihen krenarë, sepse së shpejti do të jemi një vend Evropian. Ndërsa Partia Socialiste është një forcë politike e cila në programin e saj është bashkëpunëtore e krimit dhe e korrupsionit, u shpreh Bogdani. Ndër të tjera ai theksoi se Partia Socialiste është dhe një forcë jetime në këto zgjedhje, e cila nuk ka as mbështetjen e votuesve shqiptarë por nuk ka as mbështetjen e kryetarit të saj Rama i cili nuk pranon që të lëshojë postin e tij të kryetari të bashkisë me qëllimin e vetëm se ka frikë se mos ngel pa gjë mbas 28 qershorit. Sipas tij Rama nuk ka më besim as tek partia që ai drejton por as tek vetja, sepse është i sigurt se me gjithë ato leje ndërtimesh që ka dhënë nuk ka për ti fituar kurrë zgjedhjet. Në fund të fjalës së tij Bogdani u shpreh se PD shkon e sigurt në këto zgjedhje, dhe këtë ka për ta vërtetuar votuesi shqiptar me votën e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›