E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retë e krizës, jo më aq të zymta

Liderët e botës financiare arritën në përfundimin se "retë e krizës globale nuk janë më aq të zymta", por shtuan se nevojiten më shumë masa për të siguruar fundin e recesionit ekonomik. "Jemi përpara problemesh shumë serioze. Po marrim masa mjaft serioze dhe gjërat kanë nisur të lehtësohen", tha Jusuf Butros Gali, i cili drejton një prej paneleve më të rëndësishme të FMN-së, Komitetin Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC). "Me kujdes dhe me maturi mund të themi se retë e krizës janë çarë", tha Butros Gali, duke i bërë jehonë optimismit të matur të shprehur një ditë më parë nga takimi i grupit të shtatë vendeve më të pasura.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Komiteti Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar, nevojiten veprime të mëtejshme për të siguruar shëndetin e bankave, ringjallur huadhënien dhe nxitjen e rrjedhjes së kapitaleve botërore. Komunikata u kërkonte vendeve të vazhdonin me stimujt fiskalë, si dhe me studimin e masave që duhen marrë me t‘u vendosur stabiliteti. Por duket se takimi i Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar shënoi pak progrese në çështjen e nxehtë, që ka të bëjë me kërkesën e vendeve në zhvillim, për më shumë ndikimin në procesin e vendimmarrjes së FMN-së. Kina dhe vende të tjera në zhvillim këmbëngulin që nëse ato kontribuojnë me shuma të mëdha parash në FMN, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë influencë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shfaqën shumë të ndjeshme ndaj kësaj kërkese të bërë prej ekonomive në zhvillim. Sekretari i Thesarit, Timoti Geithner, tha në takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar, se ka ardhur çasti që Fondi të reflektojë ndryshimet botërore. "Diçka e tillë është thelbësore për të forcuar legjitimitetin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe për të siguruar që mbetet në qendër të sistemit monetar ndërkombëtar, si dhe në reflektimin e realiteteve të shekullit XXI", tha Geithner.

Numri një i Thesarit amerikan, tha se shteteve në zhvillim u duhej dhënë më shumë hapësirë brenda fondit. Gjithashtu sugjeroi reduktimin e pjesëtarëve të bordit të Fondit nga 24 anëtarë, në 22 në vitin 2010 dhe në 20 në vitin 2012. Sipas tij, diçka e tillë duhej bërë pa e ulur numrin e pjesëtarëve nga vendet në zhvillim, gjë që do të thotë automatikisht përforcimin e pozitave të tyre në vendimmarrje.

Diçka e tillë do të bëhet në kostot e vendeve evropiane, të cilat aktualisht numërojnë tetë vende në bord dhe që, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shumë kohë kanë pasur në dorë pushtetin vendimmarrës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Shumica prej këtyre vendeve iu kundërvunë sugjerimit amerikan të bërë të shtunën. "Mendoj se hë për hë përfaqësimi përreth tavolinës së marrëveshjes është siç duhet", tha për agjencinë "Reuters" ministri belg i Financave, Didier Reinders. "Shtetet evropiane kanë kontribuuar me fonde të konsiderueshme, kështu që duhet të mbajmë mirë parasysh përmasat e pjesëmarrjes së secilit shtet në Fond".

Kërkesat për më tepër peshë në vendimmarrje vijnë në një çast shumë kritik për Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me pjesën më të madhe të ekonomive globale në recesion dhe me tregjet në zhvillim nën presion, për shkak të pakësimit të eksporteve, FMN-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare të kreditimit po përballen me kërkesa gjithnjë e në rritje për hua. "Krizat janë një moment i mirë për të kuptuar se ku kemi gabuar dhe për të mësuar ç‘duhet bërë që gabimet të mos përsëriten. Fondi Monetar duhet të pendohet për shumë prej mëkateve të mëparshme. Por i duhet ende të nënvizojë mëkatin e vet më të madh: deficitin e tij demokratik", tha ministri i Financave të Brazilit, Guido Mantega.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›