Marrëdhëniet më të fuqishme me SHBA-në janë vendosur nga mazhoranca aktuale
Kreu i “Ligjeve”, Fatos Beja
Kryetari i komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Fatos Beja tha dje se “mazhoranca e sotme është ajo që ka vendosur marrëdhëniet më të fuqishme me SHBA-në, që nga fillimet e krijimit të saj”.
Kryetari i komisionit të jashtëm reagoi ndaj deklaratës së deputetit socialist, Ilir Gjoni, i cili e konsideroi si “anormale” situatën e marrëdhënieve mes mazhorancës dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, pas kritikave që ky fundit bëri ndaj rrëzimit në Kuvend, të kandidaturës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Vangjel Kosta.
“Në funksionimin e tij, parlamenti vepron në përputhje me Kushtetutën. Nëse ka një shkelje të Kushtetutës, ka dhe një mënyrë institucionale për të kundërshtuar një vendim të parlamentit, që është e mundshme. Por ka dhe një rrugë ligjore, që është e hapur për opozitën, e cila ka mundësira që të përdorë instrumentet ligjorë që i jep Kushtetuta, për të kërkuar nëse mendon se ka një lëvizje që është në kundërvënie me të”, deklaroi Beja.
Më 19 maj, Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, që propozonte kandidaturën e Vangjel Kostës për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e mazhorancës miratuan dy dekretet e tjerë për emërimin e Altina Xhoxhajt dhe të Bashkim Dedjes në dy postet e tjera vakante në këtë Gjykatë.