Retorikë mjerane që PS-në s’e çon gjëkundi
Sulmet e Ramës, reagon Meidani
Ish presidenti Rexhep Meidani ka reaguar dje ndaj sulmeve të socialistëve gjatë punimeve të Kongresit socialist, duke i cilësuar ato si retorikë mjerane. Meidani tregon se arsyeja e mungesës së tij në Kongres lidhet me mbërritjen vonë të ftesës, të cilën e kishte marrë prej rojës së godinës në orën 21:00 të mbrëmjes së premte.
“Një ditë para kongresit të PS-së, në shumë kanale televizive u zhvilluan debate politike-ekonomike. Kjo më pëlqeu, madje për këto debate ka nevojë politika e qytetari. Në një mënyrë apo tjetrën, mu duk se dhe unë kisha dhënë kontributin tim në nxitjen dhe zhvillimin e tyre, nisur dhe nga një shkrim i një dite më parë në gazetën “Panorama”, me titullin tim “A mund të hapen 300 000 vende pune brenda një mandati qeverisës!?...” Pavarësisht “lojës politike – redaktoriale”, apo “zhyerjes” në të zezë të një pjese të materialit në shtypshkronjë (të paktën në kopjet që unë dhe disa miq të mi patën në dorë!), ai mishëronte me germa, me pika e presje të gjithë atë që unë mendoja dhe argumentoja me shifra e llogaritje konkrete për çështjen në fjalë.
Pa dyshim, pa pretenduar për një të vërtetë absolute timen.
Ama, duke u bazuar në një përllogaritje të përafërt mbi koston e një vendi pune, kosto që në vetvete nuk është çështje retorike politike, por mbi të gjitha një çështje numrash. Çudia e madhe ishte nisja e një furtune në gojë uji kundër këtij artikulli. Për më tepër, deri tani nuk kam ndeshur ndonjë llogaritje konkrete kundërshtuese ndaj asaj llogaritje, por veçse shpalosje politike e retorikë mjerane”, u shpreh ai.
Në diskutimet e Kongresi të Partisë Socialiste në disa fjalime ish-presidenti Mediani u sulmua nga diskutantët për dyshimet e tij në premtimet e socialistëve.
Në anën tjetër, disa eksponentë të Partisë Socialiste menjëherë i dënuan deklaratat kundër tij. Meidani u sulmua për deklaratën e tij se hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës, pjesë e programit të PS, është një premtim i gënjeshtërt.