Retro/Histori: 13 shtator 122 Muri i Hadrianit
Muri i Hadrianit ishte një fortifikim mbrojtës në Britaninë Romake, që filloi të ndërtohej në vitin 122 të erës së re, në kohën e perandorit Hadrian. Ishte i pari i dy fortifikimeve të ndërtuara nëpër Britaninë e Madhe; i dyti qe Muri i Antoninit, më pak i njohur prej të dyve për shkak se rrënojat fizike janë më pak të dukshme në ditët e sotme. Muri ishte kufiri më i fortifikuar i perandorisë. Përveç rolit si fortifikim ushtarak, mendohet se shumë prej portave të tij kanë shërbyer si pika të kalimit kufitar dhe dogana. Një pjesë e madhe e Murit ekziston dhe në pjesën më të mirë mund të ndiqet në këmbë nëpërmjet Shtegut të Murit të Hadrianit apo në biçikletë në Nationa Cycle Route 72. Është atraksioni më i madh turistik në Anglinë veriore dhe në vitin 1987 UNESCO e ktheu në pjesë të Trashëgimisë Botërore. Arsyet për ndërtimin e Murit ndryshojnë dhe shpjegimet ekzakte ende nuk janë dhënë. Sidoqoftë, një numër teorish janë paraqitur nga historianët kryesisht me mendimin se ishte një shprehje e fuqisë romake dhe politikave të mbrojtjes së Hadrianit para zgjerimit. Për shembull, kur u fronëzua në vitin 117, Hadriani ishte i njohur me raste rebelimesh në Britaninë Romake dhe nga popuj të ndryshëm të pushtuar të Perandorisë përfshirë Egjiptin, Judenë, Libinë, Mauritaninë. Këto trazira mund të kenë ndikuar te vendimi i Hadrianit për të ndërtuar Murin.