Retro/Histori: 15 tetor 1844 Friedrich Nietzsche
Friedrich Wilhem Nietzschhe (Fridrih Niçe) u lind më 15 tetor 1844 në Ryken të Lajpcigut, në Saksoni. Ai është një nga filozofët më të shquar gjermanë të shek. të 19-të dhe një nga kritikët më të ashpër të Krishterimit (dhe i fesë në përgjithësi), i Idealizmit gjerman, i Feminizmit dhe i Modernizmit në përgjithësi. Konsiderohet si një mjeshtër i aforizmave filozofike të krijuara në formë eksperimentale. Për këtë arsye, ai është urryer, adhuruar, keqinterpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar. U rrit në gjirin e një familjeje protestante, ndërsa i ati ishte prift. Ky i fundit vdiq kur Friedrich ishte vetëm 4 vjeç, pasi vuante nga një sëmundje mendore. Së bashku me të ëmën dhe të motrën Elizabeth, ai u transferua në Naumburg, ku do të jetonte për tetë vite me radhë. Friedrich ishte një adoleshent tepër kurioz, një nxënës i shkëlqyer dhe në momentin e përballjes me besimin fetar nisi të anonte nga ateizmi. Studioi filozofi në Universitetin e Lajpcigut, ku do të njihej me veprat e Shopenhauerit, të cilat do të përbënin pikënisjen e frymëzimit të tij filozofik. Nietzsches i përket një nga thëniet më të famshme në histori: ‘Zoti ka vdekur’, por kuptimi nuk është aspak ai i supozuar. Nietzsche flet për bashkëkohësit e tij, hipokrizia e të cilëve lë të kuptohet se ata në fakt jetojnë ‘sikur Zoti të kishte vdekur’. Sipas Nietzsches ‘... ka ekzistuar vetëm një i krishterë i vërtetë, dhe Ai vdiq në Kryq’.