E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Histori: 17 shtator 1859 Perandori i Amerikës

Joshua Abraham Norton, qytetar i famshëm i San Francisco-s, në vitin 1859 e shpalli veten Madhëria Imperiale Perandori Norton I i Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. I lindur në Angli, Norton kaloi një pjesë të mirë të rinisë në Afrikën e Jugut. Ai u zhvendos në San Francisco në vitin 1849 pas një trashëgime prej 40 mijë USD nga i ati. Në fillim u mor me biznes, por e humbi trashëgiminë kur investoi në orizin peruan. Pasi humbi një gjyq me anë të të cilit u përpoq të anulonte kontratën e orizit, ai u largua nga San Francisco. U kthye disa vjet më vonë, me sa duket me probleme psikike, duke mëtuar se ishte Perandori i Shteteve të Bashkuara. Megjithëse nuk kishte pushtet politik dhe influenca e tij shtrihej vetëm tek ata të cilët talleshin me të, në San Francisco ai trajtohej ndryshe dhe paratë e lëshuara në emër të tij pranoheshin në vendet të cilat frekuentonte. Megjithëse konsiderohej i çmendur, ose të paktën ekscentrik, qytetarët e SF i gëzoheshin pranisë së tij ‘mbretërore’ dhe shpalljeve të tij, ndër to më të famshmet ‘urdhri’ që Kongresi të shpërndahej me forcë dhe dekretet e shumta për ndërtimin e një ure dhe tuneli që lidhte brigjet e Gjirit të San Francisco-s (shumë vite pas vdekjes tuneli dhe ura u ndërtuan). Ai vdiq më 8 janar 1880 dhe të nesërmen 30 mijë njerëz mbushën rrugët e San Francisco-s për t’i bërë homazhe Norton-it. Ai është rimarrë si personazh nga Mark Twain, Neil Gaiman, Rober Louis Stevenson etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›