Retro/Histori: 2 shtator 44 p.K. Filipikat e Ciceronit
Ciceroni me vetëdije e modeloi serinë e tij të sulmeve ndaj Mark Antonit, të parën e të cilave më 2 shtator 44 p.K., bazuar te fjalimet e Demostenit të njohura si Filipika. Është ironike në fakt që ato u pagëzuan sipas një radhe fjalimesh që nuk arritën t’i paralajmërojnë efektivisht grekët ndaj rrezikut të Filipit të Maqedonisë. Pas vdekjes së Cezarit, Ciceroni privatisht shprehu keqardhje se pse vrasësit e Cezarit nuk kishin përfshirë edhe Mark Antonin në planin e tyre dhe ia kushtoi përpjekjet e tij diskreditimit të këtij të fundit. Ciceroni, madje, inkurajoi edhe veprimet ilegale, si për shembull legjitimimin e ushtrisë private të Oktavianit. Ciceroni formuloi 14 Filipika në harkun e dy vjetëve. Megjithatë, fokusimi i Ciceronit mbi Mark Antonin do të ndihmonte në rënien e vet, pasi ai nuk arriti të kuptonte kërcënimin që Oktaviani përbënte për idealin e tij republikan. Sulmet e Ciceronit ndaj Mark Antonit as u falën e as u harruan, pasi ai u ndalua dhe u vra në vitin 43 p.K. Koka dhe duart e tij u ekspozuan publikisht në Forumin Romak për të shkurajuar çdokënd që kundërshtonte Triumviratin e ri të Oktavianit, Mark Antonit dhe Lepidusit. Fati i Ciceronit ishte i ndryshëm nga shpikësi i filipikave, Demosteni, i cili nuk u ndëshkua. Sipas historianit të njohur romak Tacitit, Filipikat bashkë me Milone, In Catilinam dhe In Verrem e bënë të njohur Ciceronin dhe karriera e tij politike rrodhi nga efekti i këtyre veprave.