Retro/Histori: 20 dhjetor 1832 Haxhi Zeka
Haxhi Zeka, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë, u lind më 20 dhjetor 1832 në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878, kundër Mehmet Ali Pashës. Luftoi, në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës, për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish Pashës. Së bashku me Sulejman Vokshin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr në Stamboll, ku u mbajt i arrestuar deri në vitin 1896. Më 1896-1900 u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popullore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi "Besëlidhjen shqiptare"(1897). Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit, të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës, që themeloi Lidhjen Shqiptare të Pejës, dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj. U vra në Pejë pabesisht nga Adem Zajmi, një agjent i vënë nga qarqet shoviniste serbe, që patën edhe përkrahjen e autoriteteve osmane.