Avokati i Lul Berishës: “Arratia” e Colit, në rrethinat e Tiranës, ja si u inskenua dëshmia
Mbrojtja e Lulzim Berishës ka treguar në sallën e gjyqit një version tjetër për historinë e të penduarit. “Pas vrasjes së Koldashit, Adriatik Coli nuk ka dalë jashtë shtetit. U përpunua nga vëllezërit e Klodian Saliut dhe segmente të policisë për të fundosur Lul Berishën”
Tiranë Lulzim Berisha, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ka mohuar tërësisht akuzat e ngritura nga Prokuroria për Krime të Rënda, për drejtimin e një organizate kriminale. Për dy seanca me radhë, avokati Ilia Ilia ka argumentuar para trupit gjykues se klienti i tij është i pafajshëm. Avokati mbrojtës i Berishës ka hedhur dyshime mbi dëshminë e të penduarit Adriatik Coli, ku nëpërmjet fakteve ka treguar se bashkëpunëtori i drejtësisë jo vetëm që nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria, por është përpunuar për të fundosur Lulzim Berishën. Në shërbim të dëshmisë së Colit, me të cilën prokuroria kërkon të dënojë Lulzim Berishën, sipas avokatit, janë vënë edhe segmente të caktuara të policisë, të cilët kanë manipuluar gjithçka, por edhe dy vëllezërit e Klodian Saliut. Për të argumentuar këtë version të historisë, mbrojtja e Lulzim Berishës ka nisur me akuzën e fundit që rëndon ndaj disa prej të pandehurve, vrasjen e Avni Koldashit e ndodhur në vitin 2005. “Policia dhe prokuroria e Tiranës proceduan dhe dërguan për gjykim të pandehurin Adriatik Coli në mungesë, pasi fshihej, si autor të kësaj vrasjeje. Në atë ngjarje ka qenë i pranishëm dhe i akuzuari Endrit Dokle, i cili u vetëdorëzua në polici, për të sqaruar të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë që Coli u fsheh dhe fshehtas mbante lidhje me vëllezërit Arjan e Shkëlqim Saliu nga qyteti i Durrësit”- thuhet në konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes së Lulzim Berishës. Sipas avokatit, vëllezërve të Klodian Saliut u ishte thënë se vrasjen e kishte kryer Lulzim Berisha, ndaj edhe ata kontribuan në inskenimin e dëshmisë së Colit.
Coli fshihej në Tiranë…
Avokati i Lulzim Berishës ka hedhur dyshime për një inskenim të dorëzimit të Colit në Rinas, pasi u kthye nga Italia. Sipas Ilias, i penduari nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria, pas vrasjes së Avni Koldashit, por ka qëndruar në rrethinat e Tiranës. “Megjithëse Coli fshihej në rrethinat e Tiranës, ku i kishte lëshuar prokurorë noteriale avokatit të tij, që e përfaqësonte atë në mungesë që prej fillimit të shkurtit të vitit 2006, në “rrëfimin” e tij, sipas procesverbalit të deklarimeve, vetëdorëzimi i datës 9 mars 2006 është inskenuar”- thotë avokati. Pas vetëdorëzimit u deklarua se itinerari i ndjekur nga Adriatik Coli ishte Itali-Austri-Kroaci-Prishtinë-Rinas. Por sipas avokatit, e gjitha kjo është sajesë, pasi provohet nga një sërë provash që janë depozituar tashmë në Gjykatë, bashkë me konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes së Lulzim Berishës. “Dy ditë pas vetëdorëzimit, në datën 11.03.2006, ndaj Adriatik Colit në Gjykatën e Tiranës bëhet verifikimi i kushteve të arrestit për llogari të masës së sigurimit “arrestit në burg” të caktuar nga kjo gjykatë ndaj tij, në dhjetor të vitit 2005, si i dyshuar për vrasjen e Avni Koldashit. Po në të njëjtën datë u “prodhua” edhe marrëveshja e bashkëpunimit të tij me drejtësinë, ndërkohë që farsës i doli boja në gjykim, pasi nga autoritetet e Rinasit nuk u konfirmua që Coli të kishte kaluar në Rinas dhe ky fakt së bashku me prokurën e lëshuar nga Coli në shkurt pranë një notereje në Tiranë, gjykata i ka administruar me kërkesën e mbrojtjes në cilësinë e provave shkresore në gjykim”- thotë avokati. Për të provuar këtë pretendim, ai ka vënë në dispozicion të gjykatës një sërë provash, përfshi edhe shkresën nr.508 /1 datë 31.03.2010 të komisariatit të policisë në Drejtorinë Rajonale Kufirit dhe Emigracionit Durrës, së bashku me skedën e hyrje-daljeve në territorin shqiptar, sipas sistemit TIMS për të pandehurin Adriatik Coli. Sipas avokatit, edhe pse Coli ishte i pandehur në Gjykatën e Tiranës për vrasjen e Avni Koldashit, paralelisht në bashkëpunim me vëllezërit e Klodian Saliut dhe personave të tjerë në polici, po organizonte skenarin për të goditur Lulzim Berishën. “Mbas tre muajsh që kishte filluar gjykimi në gjykatën e Tiranës ndaj Colit, në prill-maj të vitit 2006, çështja tërhiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me arsyetimin se kjo prokurori kishte regjistruar që në vitin 2005 (?!) procedim penal ndaj të akuzuarve për organizatë kriminale”- thotë avokati. Sipas tij, paradoksi qëndron në faktin se emri i Lulzim Berishës nuk përmendej në radhën e personave të kësaj organizate dhe as në shkresat e lëshuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Për këtë aspekt të çështjes, si dhe ndryshimin e akuzave nga ana e prokurorisë, avokati mbrojtës bën një analizë të detajuar juridike, duke treguar se organi i akuzës ka rënduar pa të drejtë pozitat e klientit të tij.
Miqësia me Klodian Saliun dhe vëllezërit e tij
Avokati i Lulzim Berishës ka thënë në gjykatë se Arjan dhe Shkëlqim Saliut u është mbushur mendja se pas vrasjes qëndronte Lul Berisha
Mbrojtja e Lulzim Berishës ka sqaruar në gjykatë marrëdhëniet miqësore me Klodian Saliun, por edhe me vëllezërit e tij. “Me Arjan e Shkëlqim Saliun, Lulzim Berisha është njohur si durrsak. Ai ka pasur lidhje shoqërore me vëllanë e tyre, të ndjerin Klodian Saliu, i vrarë rreth viteve 2005-2006. Siç ka rezultuar nga hetimi i deritashëm gjyqësor, vëllezërit Arjan e Shkëlqim Saliu në atë kohë kishin rënë pre e një përpunimi djallëzor se vrasjen e vëllait të tyre e kishte bërë Lulzim Berisha”-thuhet në mbrojtjen e Berishës. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, avokati mbrojtës i Lulzim Berishës nuk ka lënë pa akuzuar as segmente të caktuara të policisë, të cilat, sipas tij, kanë krijuar terrenin dhe kanë ndihmuar Adriatik Colin për t’u shpëtuar krimeve të kryera prej tij. “Në rrethanën që ushqenin këtë negativitet ndaj figurës së Lulzim Berishës, duke shfrytëzuar lidhjet intime dhe aferave të jashtëligjshme që kishin me individë nga strukturat e policisë së shtetit në Durrës, e përpunuan Colin, të cilin e kishin bashkëpunëtor në këto aktivitete, që të dorëzohej e të rrëfehej në funksion të fabrikimit këtij kazusi, që më pas do të merrte trajtën de jure të një akuze për organizatë dhe krimeve të kryera nga organizata kriminale ndaj Lulzim Berishës dhe të akuzuarve të tjerë të këtij procesi”- ka deklaruar avokati Ilia. Ai ka kërkuar pafajësi për Lulzim Berishën, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm.
Debate në gjyq, nxirren jashtë Dokle e prokurori
Seanca e djeshme gjyqësore ndaj të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit” nuk ka kaluar pa debate. Është bërë pothuajse e zakonshme që çdo seancë e këtij procesi të përshkruhet nga debate të ashpra mes palëve, duke detyruar herë pas herë kryetarin e trupit gjykues të marrë masa ndaj palëve. Edhe gjatë seancës së djeshme, kur ka përfunduar mbrojtja e Lulzim Berishës dhe ka nisur mbrojtja e të pandehurve të tjerë, në seancë gjyqësore ka pasur debate mes të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës me prokurorin. Debatet kanë detyruar kryetarin e seancës të largojë për disa momente nga salla e gjyqit një prej dy prokurorëve të çështjes dhe të pandehurin Endrit Dokle, pasi po cenonin zhvillimin normal të seancës. Në pushimin e zhvilluar gjatë seancës, gjykata ka vendosur të fusë sërish në sallë prokurorin dhe të pandehurin Dokle, për të vijuar më pas me mbrojtjen e të pandehurit Plarent Dervishaj. Procesi 4-vjeçar ndaj të akuzuarve si pjesë të “Bandës së Durrësit” tashmë ndodhet në fazën e dhënies së konkluzioneve përfundimtare nga ana e avokatëve mbrojtës.