Retro/Histori: 20 korrik 1974 Pushtimi turk i Qipros
Forca ushtarake turke pushtuan Qipron pas një grusht shteti të organizuar nga diktatori Ioannides i Greqisë kundër presidentit Makarios. Pushtimi u dënua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me anë të një rezolute, si ligjërisht i pavlefshëm. Pas vitit 1967 tensionet ndërmjet qipriotëve turq dhe atyre grekë u shuan. Por burimi kryesor i tensionit në ishull erdhi nga fraksionet e ndryshme brenda komuniteti greko-qipriot. Megjithëse Makarios kishte braktisur enosis në favor të një ‘zgjidhjeje të qëndrueshme’, shumë të tjerë vazhdonin me besimin se e vetmja aspiratë për greko-qipriotët ishte bashkimi me Greqinë. Në shtator 1971 u themelua EOKA-B, një organizatë që mbronte ethshëm bashkimin. Kur kryetari i kësaj organizate, Grivas, vdiq, ajo ra nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ionannides-it, shefit të Juntës në Athinë. Ai ishte i vendosur të rrëzonte Makariosin nga pushteti. Duke pasur frikë nga pasojat e një hapi të tillë, Makarios në korrik 1974 shkroi një letër të hapur për diktaturën ushtarake, duke kërkuar që të gjithë oficerët grekë të largoheshin nga ishulli. Më 15 korrik Ioannides-i u përgjigj me anë të një puçi, gjë që çoi në rrëzimin e Makariosit. Pasi nuk mundi të siguronte mbështetjen britanike për një ndërhyrje të përbashkët, Bulent Ecevit, kryeministri turk, vendosi të vepronte i vetëm. Më 20 korrik Turqia urdhëroi pushtimin ushtarak të ishullit. Brenda dy ditësh forcat turke hapën një korridor të ngushtë që lidhte bregun verior me Nikozian. Ndërhyrja shkaktoi kaos në Greqi dhe më 23 korrik junta ushtarake e Athinës ra.