E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Histori: 7 shtator 1918 Pashk Gjeçi

Pashk Gjeçi, shqipërues i disa veprave klasike madhore evropiane, u lind në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Në shkollë nis të mësojë mirë italisht. Më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore. Në vitin 1938 regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën “Doktor shkencash në letërsi”. Pas kthimit në Shqipëri, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën "Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit" dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Pas lirimit e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit. Menjëherë pas botimit të "Komedisë..." nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore, "Odisenë" e Homerit. Shoqata italiane "Dante Alighieri" në vitet e 70-ta vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të "Komedisë Hyjnore". Gjeçi u dekorua nga presidenti Italian Çampi më 2004 me "Ordine della stella, della solidarietà italiana", për përkthimin e Dantes. Po ashtu Pashk Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon çmimin Kombëtar të përkthimit "Fan Noli", për përkthimin e veprës "Fausti" të Gëtes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›