Retro/Histori: 8 janar 1937 Anton Pashku
Anton Pashku u lind më 8 janar 1937 në Grazhdanik (afër Prizrenit). Kreu shkollimin e mesëm-gjimnazin real në Prishtinë dhe punoi për një kohë të gjatë në gazetën ‘Rilindja’ të Prishtinës; fillimisht gazetar, mandej redaktor i rubrikës së kulturës, e gjatë njëzet vjetëve të fundit redaktor në shtëpinë botuese ‘Rilindja’. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tre rrafshe themelore: ai i dashurisë, i vetmisë (të kërkuar dhe të kushtëzuar nga totalitarizmi) dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani Oh ka bërë një ndikim të ngadalshëm, por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut Sinkopa e Gof janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera. Vepra e tij letrare është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është lëndë që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe. Veprat e tij janë: Tregime, Jeta e re, Prishtinë, 1961; Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965; Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968; Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969; Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971; Kjasina, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973; Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976; Lutjet e mbrëmjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978; Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë, 1982. Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tre vëllime: Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986; Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986; Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë.