Retro/Press: Ideali kombëtar
Tani që jemi duke ecur në muajt e parë të Dhjet-vjetorit të dytë të Regjimit Zogist, të gjithë faktet që janë parasysh, të gjitha shënjat dhe në fund vetë llogjika e evolucionit historic të njëj populli që ka filluar t’ecij drejt qytetërimit, na detyrojnë, pra të besojnë se më 1945 Shqipëria do të ketë definitivisht në radhën e popujve të qytetëruar që kanë bërë reformat më radikale në këtë shekull.
Si çdo gjë në botë ndrohen edhe idelatet. Dhe sot ideali i Shqiptarëve t’edukuar n’Oksident (për mos t’a ngushtuar fjalën në “ideali i djalërisë”), të cilët janë elita e këtij kombi, mund të përmblidhet në pakë fjalë, ashtu siç ngjet shpesh që kuptimi i një libere të tërë vihet në një frazë: “Sa më parë një Shqipëri sa më të qytetëruar dhe sa më të lumtur”.
Ideali Kombëtar i ynë i sotëm nuk është dhe nuk mund të jetë veçse ky.
Po si mund t’a realizojmë këtë ideal kombëtar?
E ka thënë edhe vetë Mbreti i Math i Shqiptarëvet:
“Më tepër se organizimi teknik i një Shteti, duhen Kultura e Morali, lartësimi i edukatës, që na shpien sigurisht në Idealin Kombëtar”.
Me fjalë të tjera, tani që e bëm Shqipërinë, duhet t’i bëjmë edhe shqiptarët, domethënë duhet që si ç’e ka thënë Faik Konitza me një herë pas shpalljes s’Indipendencës shqiptare, t’i japim një Shpirt këtij populli. Një shpirt konshient i vetëhes së tij, një SHPIRT i formuar në bazë të Kulturës e të Moralit. I tërë kombi shqiptar duhet të ndjejë e të lëvizë si t’ishte një grup coherent dhe omogjen që di se ç’bën dhe ç’kërkon të bëjë.
Pa pasur pretendimin se jemi njerëzit më të cilësuar e më të pa-gabuarshëm të Shqipërisë, ne Minervistët kemi bindjen se Shqipërija nuk mund të arrijë në shkallën e qyteterimit e të lumturisë që duhet t’arrijë pa-tjetër, veçse me një përpjekje të vazhdueshme në bazë të një program që duhej zbatuar një orë më parë.
Parimet themelore të këtij programi ekzistojnë. I ka vënë vetë Mbreti i Math i Shqiptarëve, që është burimi i pashteruar i inspiratës kombëtare: Kultura e Morali, lartësimi i edukatës, disiplinimi i Djalërisë.
Ne që sot jemi mbledhur reth Minervës dhe që, kurdoherë në bazë t’inspiratës së lartë që buron nga Mbreti i ynë August, jemi bërë qysh prej shtatë vjetësh e tëhu paralajmëronjësit e një lëvizjeje mentare e cila do të krijojë në Shqipëri një jetë mentare të re dhe një atmosferë të shëndoshë morale të lindur nga përpjekjet plotë entusiamë dhe idealizmie të një djalërie të disiplinuar e gjejmë të kohëshëm e të rastëshëm që të çfaqim një project t’onë mbi aktivitetin që besomë se do të ketë bota shqiptare Zogiste në dhjet vjetorin e dytë të Regjimit, period e cila posa ka filluar.
Ky project ka dy shëkime paralele: organizmi i Kulturës dhe organizimi i Djalërisë. Me organizimin e kulturës nëpërmjet të Elitës shqiptare do të vihen themelet e punës për ti dhënë një SHPIRT kombit shqiptar; me organizmin e Djalërisë do të disiplinohet kjo fuqi sot jo kompakte dhe koherente, me qëllim që të bëhet armata idealistike dhe personale e Mbretit në rugën e përpjekjeve për ti dhënë një SHPIRT Kombit.